NATO ka nisur një nga dislokimet më të mëdha detare që nga pushtimi rus i Ukraninës, me aeroplanmbajtësen franceze Charles de Gaulle për herë të parë nën komandën e aleancës.
Anija franceze dhe ato të tjerat shoqëruese janë pjesë e një stërvitjeje që NATO thotë se do t’i ndihmojë anëtarët e saj të mësojnë të punojnë së bashku dhe t’i largojnë armiqtë.
Siç raportohet, anija franceze me energji bërthamore ka filluar misionin e saj në Detin Mesdhe, afërt portit Toulon.
Vendosja e saj nën kontrollin operacional të NATO-s për herë të parë thuhet të jetë mjaft simbolike, e sidomos për faktin se anija e mban emrin e ish-presidentit që e nxori Francën nga struktura komanduese e aleancës në 1966.
Edhe pse Franca iu bashkua NATO-s përsëri në vitin 2009, interesi i saj për stërvitje dhe misione u rrit pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Por, vendimi që anija me energji bërthamore të jetë nën komandën e NATO-s u prit me kritika nga e majta dhe e djathta ekstreme franceze.
Mirëpo, shteti francez tha se kjo masë është pjesë normale e të qenit anëtar i një aleance ushtarake shumëkombëshe.
“Është e rëndësishme sepse na lejon të qëndrojmë në zinxhirin komandues dhe t’i njohim më mirë njerëzit me të cilët mund të bashkëpunojmë në rast krize”, tha kundëradmirali francez, Jacques Mallard.
Bëhet e ditur se dislokimi do të përfshijë rreth 20 anije nga Italia, Spanja dhe Turqia.
Ndryshe, në prag të misionit, ambasadorët e NATO-së nga 32 vendet anëtare të saj kanë vizituar anijen franceze për të parë sesi aeroplanët luftarak ngrihen nga kuverta e fluturimit drejt qiellit. /Telegrafi/