Site icon Telegrafi

NATO fillon zyrtarisht procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se NATO-ja edhe zyrtarisht ka filluar procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në këtë Aleancë.

“Vendet anëtare të NATO-s, kanë filluar zyrtarisht me nënshkrimin e protokollit”, shtoi Stoltenberg gjatë një konference për media në Bruksel, ku pas samitit të NATO-s në Madrid, liderët e vendeve anëtare u pajtuan që ta ftojnë Finlandën dhe Suedinë që t’i bashkohet Aleancës Veri-Atlantike, transmeton Telegrafi.

“Është ditë e mirë për Finlandën dhe Suedinë, ditë e mirë për NATO-n. Me 32 liderët e vendeve anëtare në një tavolinë, do të jemi më të fortë dhe popujt tonë do të jenë më të sigurte. Aleanca është e hapur për demokracitë evropiane që janë të gatshme të kontribuojnë në fushën e sigurisë”, shtoi Stoltenberg.

Kujtojmë që Finlanda dhe Suedia i dhanë fund neutralitetit pas shumë vitesh, kur aplikuan t’i bashkohen NATO-s, në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin në Ukrainë.

Por në fillim kërkesa e tyre kishte hasur në rezistencë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili i akuzonte këto dy vende nordike që po “strehojnë terroristët kurdë të PKK-së”.

Megjithatë javën e kaluar gjatë Samitit të NATO-s që u mbajt në Madrid, është arritur një marrëveshje mes tri palëve që nënshkruan memorandumin që thekson përkushtimin për mbështetje të plotë të vendeve mes vete, duke i hapur rrugë anëtarësimit në NATO. /Telegrafi/

 

Exit mobile version