Site icon Telegrafi

NATO dhe BE kërkojnë paqe në Ballkan pas dënimit të Mladiçit

NATO dhe Bashkimi Evropian kërkuan sot paqe në Ballkan, pas dënimit me burgim të përjetshëm të ish-shefit të ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“Kjo tregon se shteti i të drejtës funksionon dhe se ata që janë përgjegjës për krime lufte, duhet të japin llogari”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një komunikatë.

I ashtuquajtur “Kasapi i Ballkanit”, Ratko Mladiç u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIY), me seli në Hagë, për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“Shpresoj që ky gjykim do të inkurajojë rajonin e Ballkanit të avancojë në rrugën e paqes dhe pajtimit”, deklaroi Stoltenberg duke nënvizuar se Mladiç ishte shpallur fajtor për krimet çnjerëzore kundër civilëve, veçanërisht në Srebrenicë gjatë verës së vitit 1995.

Nga ana e tij, Bashkimi Evropian u kërkoi të gjitha vendeve të Ballkanit të nderojnë viktimat nga krimet e luftës dhe të punojnë në favor të paqes në rajon.

Exit mobile version