Telegrafi

NATO dënon sulmin kibernetik të Iranit në Shqipëri, Stoltenberg: Aleanca po ofron mbështetje

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka dënuar sot sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë.

Përmes një postimi në Twitter, Stoltenberg shprehet se NATO është e përkushtuar të vazhdojë të rrisë sigurinë për të penguar dhe mbrojtur kundër kërcënimeve kibernetike.

“Dënoj fuqishëm sulmin e fundit kibernetik ndaj Shqipërisë, të cilin Tirana dhe aleatët e tjerë ia atribuojnë Iranit. NATO dhe ekspertët e Aleatëve po ofrojnë mbështetje. NATO është e përkushtuar të vazhdojë të rrisë sigurinë për të penguar dhe mbrojtur kundër kërcënimeve kibernetike”, shprehet Stoltenberg.

Lexo po ashtu Zbrazen ambientet e ambasadës së Iranit në Tiranë, diplomatët dërgohen drejt aeroportit të Rinasit

“Ne qëndrojmë në solidaritet me Shqipërinë pas sulmit të fundit kibernetik në infrastrukturën e saj kombëtare të informacionit. Aleatët pranojnë deklaratat e Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë që ia atribuojnë përgjegjësinë për sulmin kibernetik Qeverisë së Iranit”, ka thënë NATO në një njoftim për shtyp.

Lexo po ashtu Sulmi kibernetik në Shqipëri, Ambasadorja amerikane: Kur miku ynë është nën sulm, SHBA do të reagojë

“Ne dënojmë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve. NATO dhe aleatët mbështesin Shqipërinë në forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes kibernetike për të përballuar dhe zmbrapsur aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen”, ka theksuar Aleanca./Telegrafi/