Site icon Telegrafi

“Natën ngrenë dolli për fundin biologjik të Berishës, ditën i servilosen”, Basha komenton ndryshimin karriges në Kuvend

Një ditë më parë, në seancën hapëse të sesionit të ri parlamentar, Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij i kishin ndryshuar vendet ku do të duhet të ulen në Parlament.

Ashtu siç u pa në nisje të seancën plenare, Gazment Bardhi dhe Lulzim Bashën nuk do t’i shohim më përkrah njëri tjetrit në sallën e Kuvendit. Vendin e ish-kreut të Partisë Demokratike në sallën e Kuvendit e ka zënë rishtazi deputeti Bledion Nallbati, ndërsa në rreshtin e Gazment Bardhit është pozicionuar edhe Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, raporton A2.

Për ripërcaktimin e ulëseve në sallë, PD i ka dërguar edhe një shkresë Kuvendit, ku kërkohet konfirmimi i pozicioneve të reja.

Ajo çka bie në sy është pozicionimi në rreshtin numër 7 dhe të fundit i grupit të deputetëve që mbështesin Lulzim Bashën. Përkrah tij do të jenë Enkelejd Alibeaj, Oriola Pampuri, Arbi Agalliu, Flutura Açka dhe Selaudin Jakupllari, shkruan A2. Në këtë rresht do të ulet në vijim edhe ish-deputeti demokrat Agron Shehaj, i cili ka nisur një iniciativë të re politike.

“Për fat të keq këtu ka rënë niveli”, tha Basha në një konferencë për mediat, i pyetur lidhur me këtë vendim. “Ky nuk është debat politik, por debat për karrige. Kjo është edhe arsyeja e divorcit. Ne betejën e nisëm për ndryshim, jo për karrige. Vazhdon sindroma e karrigeve. Do të përforcohet edhe më shumë. Sepse ajo që sot quhet PD është e ndarë në dy grupe, Sali Berisha me ata që i shkojë nga pas për të mbrojtur familjen e vet, ndërsa grupi tjetër e kanë nisur për karrige dhe për karrige po vazhdojnë. Natën pasi vërshon uiski, ngrenë dolli për fundin politik dhe biologjik të Sali Berishës, dhe në mendjen e tyre e shohin veten në radhë për suksesion dhe ditën bëjnë gjeste servilizmi për t’i demonstruar besnikëri në funksion të karriges”. /Telegrafi/

Exit mobile version