Telegrafi

Natalie Portman refuzon një çmim prestigjioz në Izrael, për shkak të ngjarjeve të fundit atje

(Foto: Getty Images)

Aktorja amerikane, Natalie Portman, është fituese e sivjetme e çmimit prestigjioz Genesis, mirëpo ka refuzuar të jetë pjesëmarrëse në ceremoninë që do të zhvillohet në muajin qershor.

Arsyeja e këtij vendimi janë ngjarjet e fundit në Izrael, të cilat e kanë shqetësuar 36-vjeçaren.

Izraeli është duke u përballur me kritika për shkak të reagimit brutal ndaj protestave masive në kufi me Rripin e Gazës, ku nga 30 marsi janë vrarë 28 palestinezë, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur.

(Foto: Getty Images)

Sipas qëndrimit të shtetit izraelit, ata po e mbrojnë kufirin e vet, mirëpo Portman nuk ndihet komode për të marrë pjesë në ndonjë eveniment publik në atë shtet.

“Vendimi im për të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Genesis është keqinterpretuar nga të tjerët. Më lejoni të flas vet. Zgjodha të mos marr pjesë, sepse nuk doja të paraqitesha si mbështetëse e Benjamin Netanyahut, i cili do të mbajë një fjali, në ceremoni”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Natalie Portman

“Si shumë izraelitë dhe hebrenj anekënd botës, mund ta kritikoj udhëheqësinë izraelite pa e bojkotuar të gjithë kombin… Izraeli është krijuar saktësisht para 70 vitesh si një parajsë për refugjatët nga Holokausti”.

“Mirëpo, keqtrajtimi i atyre që vuajnë nga mizoritë e sotme, thjesht nuk është në përputhje me vlerat e mia çifute. Meqë e dua Izraelin, më duhet të dal kundër dhunës, korrupsionit, pabarazisë dhe abuzimit të fuqisë”, ka shkruar aktorja në Instagram.

Nga Fondacioni për çmimin Genesis, i cili e ndan atë që njihet si ‘Nobeli Hebraik”, kanë thënë se do ta anulojnë ceremoninë për shkak të refuzimit të pjesëmarrjes nga Natalie.

Organizatorët thonë se kanë frikë që vendimi i Portman do të bëjë që iniciativa e tyre filantropike të politizohet.

Ndryshe, Portman ka lindur në Jerusalem. Nëna e saj është amerikane, kurse babai izraelit. /Telegrafi/