Site icon Telegrafi

NASA zbulon planin për kthimin në Hënë, deri në vitin 2024

Agjencia amerikane e hapësirës (NASA) ka përshkruar zyrtarisht planin e saj prej 28 miliardë dollarësh për t’u kthyer në Hënë deri në vitin 2024.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, si pjesë e një programi të quajtur Artemis, NASA do të dërgojë një burrë dhe një grua në sipërfaqen hënore në “uljen e parë” me njerëz që nga viti 1972.

Por afati kohor i agjencisë varet nga Kongresi që lëshon 3.2 miliardë dollarë për ndërtimin e një sistemi zbarkimi.

Astronautët do të udhëtojnë në një kapsulë të ngjashme me Apollo të quajtur Orion që do të lëshohet në një raketë të fuqishme të quajtur SLS.

Duke folur të hënën pasdite (me kohën amerikane), administratori i NASA-s, Jim Bridenstine tha: “28 miliardë dollarë përfaqësojnë kostot e lidhura për katër vitet e ardhshme në programin Artemis për të zbarkuar në Hënë”.

Por ai shpjegoi: “Kërkesa për buxhet që kemi tani përfshin 3.2 miliardë dollarë për vitin 2021 për sistemin e uljes njerëzore. Është shumë e rëndësishme që të marrim ato 3.2 miliardë dollarë”.

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së ka miratuar tashmë një projektligj që cakton 600 milionë dollarë “drejt zbarkuesit hënor”.

Por NASA do të ketë nevojë për më shumë fonde për të zhvilluar pajisjen plotësisht. /Telegrafi/

Exit mobile version