Agjencia amerikane hapësinore NASA, ka prezantuar një video përmes të cilës tregohet si duket dimri në Mars.
Gjatë misioneve të saj të shumta, ka zbuluar karakteristikat e akullta të Planetit të Kuq dhe sa shumë i ngjanë Tokë nganjëherë, transmeton Telegrafi.
Gjatë dimrit, temperatura në Mars bie nën zero dhe temperatura më e ulët mbretëron në polet e tij, ku bie deri në 123 gradë. Megjithatë, asnjë rajon nuk ka mbulesë veçanërisht të trashë bore.
“Bie borë mjaftueshëm sa të mund ta mbash në dorë. Nëse do të kërkoje vende për skijim, do të ishin krateret ose shkëmbinjtë ku bora mund të grumbullohet për shkak të sipërfaqes së pjerrët”, tha Sylivan Piqueux, shkencëtar në laboratorin Jet Propulsion të NASA-s.
Megjithatë, nuk është e mundur të vëzhgohen drejtpërdrejt reshjet e borës në Mars, për shkak të sfidave të punës në një atmosferë jashtëzakonisht të ftohtë dhe të hollë.
Por, falë instrumenteve të specializuara, shkencëtarët kanë konfirmuar ekzistencën e reshjeve të borës në Planetin e Kuq.
MRO i NASA-s (Mars Reconnaissance Orbiter) mund të “shikojë” përmes reve duke përdorur instrumentin e tij Mars Climate Sounder.
Ky instrument mund të zbulojë dritën në gjatësi vale që nuk janë të dukshme për syrin e njeriut, dhe falë kësaj mund të “shohë” përmes reve dhe të vëzhgojë sipërfaqen e Marsit.
Shkencëtarët zbuluan reshjet e dyoksidit të karbonit në këtë planet, me ndihmën e këtij instrumenti. /Telegrafi/