Site icon Telegrafi

NASA planifikon të dërgojë alga dhe baktere në Mars për të prodhuar oksigjen

Agjencia amerikane e hapësirës NASA planifikon të prodhojë oksigjen nga atmosfera e Marsit, kur roboti i ardhshëm në vitin 2020 të arrijë në “planetin e kuq”.

Shkencëtarët do të dërgojnë botën e gjallë mikroskopike, alga ose baktere në kuadër të misionit “Rover”, në tentim për të krijuar ajër të përshtatshëm për njerëzit, shkruan gazeta britanike “Independent”.

Ata dëshirojnë të ushqejnë mikro-organizmat në Mars, me shpresën se do të emetojnë oksigjen, i cili do të përdorej për frymëmarrje ose si karburant raketor për kthim në Tokë, transmeton KosovaPress.

Nëse eksperimenti rezulton i suksesshëm, ky do të ishte një hap i rëndësishëm drejt krijimit të kushteve për banim në Mars dhe vendosjen e kolonive njerëzore në të ardhmen.

Në atmosferën e Marsit ndodhet vetëm 0.13 për qind e oksigjenit në krahasim me 21 për qind sa është në Tokë.

Gazeta britanike shkruan se SHBA-të po planifikojnë që rreth Marsit të krijojnë një mbrojtje magnetike, ndërsa në vetë planetin e kuq të ndërtojnë një reaktor nuklear.

Hapi i parë do të ishte lansimi i stacionit lunar kozmik, i cili do të shërbente si pikënisje për mision drejt pjesës tjetër të Sistemit Diellor.

Në planet e veta për kolonizimin e Marsit, biznesmeni Elon Musk ka thënë se çmimi më i lirë për person për një gjë të tillë do të ishte 10 miliardë dollarë.

Exit mobile version