Sot, agjencia amerikane e hapësirës NASA zgjodhi një grua dhe një burrë afrikano-amerikan si astronautë për misionin hënor, për herë të parë si pjesë e një ekipi prej katër anëtarësh që do të marrë pjesë në fluturimin e parë me njerëz rreth Hënës në më shumë se 50 vjet.
Christina Koch, një inxhiniere që tashmë mban rekordin për fluturimin më të gjatë të vazhdueshëm nga një grua në hapësirë, është përzgjedhur për të marrë pjesë në misionin Artemis II, i cili do të pilotohet nga Victor Glover, një anëtar i marinës amerikane, transmeton Telegrafi.
Glover, i cili mori pjesë në fluturimin e dytë të kapsulës së Crew Dragon të SpaceX, do të bëhet astronauti i parë afrikano-amerikan i dërguar ndonjëherë në një mision hënor.
Dy anëtarët e mbetur të ekuipazhit janë Jeremy Hansen, kanadezi i parë i zgjedhur për të fluturuar në Hënë dhe Reid Wiseman, një veteran i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, i cili është emëruar komandant i misionit Artemis II.
Ekuipazhi u prezantua në një konferencë shtypi në Houston në Qendrën Hapësinore Johnson, baza e menaxhimit të misionit të NASA-s.
Artemis II do të jetë fluturimi i parë me njerëz, por jo ulja e parë në Hënë, e programit pasardhës Apollo, i cili synon të kthejë astronautët në sipërfaqen hënore më vonë këtë dekadë, dhe përfundimisht të krijojë një stacion të qëndrueshëm atje, i cili do të jetë një trampolinë për njerëzit e ardhshëm për eksplorim në Mars. /Telegrafi/