Motori i “pamundur”, “EmDrive”, që është në gjendje të prodhojë energji nga “asgjëja”, kalon testet e para në qendrën “Johnson” të NASA-s.
Rezultatet e para të publikuara në revistën shkencore “Journal of Propulsion and Power”, tregojnë se kjo pajisje, që është në gjendje të thyejë disa nga parimet thelbësore të fizikës, funksionon ndonëse është ende shumë e dobët.
Mirëpo, këto të dhëna po fillojnë të joshin krejt komunitetin shkencor, ndonëse ka ende shumë dyshime.
“Duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Në këtë rast do të ishte një revolucion për krejt njerëzimin”, deklaron eksperti i propulsorëve hapësinorë, Giancarlo Genta, i Politeknikut të Torinës.
Lindur nga një ide e inxhinierit britanik, Roger Shawyer, motori “EmDrive” është në gjendje të prodhojë lëvizje pa pasur nevojë për asnjë lloj shtytësi. Kjo është një teknologji që nëse do të funksionojë me të vërtetë, do të revoluciononte krejtësisht botën e fizikës.
I pritur fillimisht me ftohtësi nga shkencëtarët, “EmDrive” po krijon hapësirë gjithnjë edhe më të madhe në debatin shkencor. Testet e kryera këto vite i kishin lënë hapësirë kritikëve, por matjet e reja që u kryen në qendrën “Johnson” mund të jenë një pikë nisje e re.
“Ndonëse shtyrja fillestare është shumë e vogël, duket sa ka me të vërtetë potencial”, shtoi Genta. “Është normale që ka ende shumë dyshime mbi këtë, por është një skepticizëm i shëndetshëm”.