Site icon Telegrafi

Napoleoni dhe trojet shqiptare

Nga: Luan Rama

Sa herë kisha dëgjuar rreth origjinës arbëreshe të Napoleonit vija buzën në gaz, duke menduar se imagjinata e atyre që mbronin këtë tezë shkonte aq larg sa merrte përmasat e një legjende, apo trilli romanesk. Në fakt, ata që e kanë hedhur këtë tezë janë mbështetur siç duket në librin me kujtime të dukeshës d’Abrantes si dhe një thënie të presidentit francez Adolph Thiers se “Napoleoni ka qënë me origjinë arbëreshe“. Deri më sot, biografët më të mëdhenj të Napoleonit e kanë lënë jashtë interesit këtë tezë, duke mos dashur të shkojnë gjer në rrënjë të largëta të shekullit XV-XVI. Për ata është e rëndësishme se ai ishte një korsikan që e deshi Francën dhe iu përkushtua asaj, duke u bërë heroi më i lavdishëm i të gjitha kohërave. Informacionet e historianëve shkojnë gjer në prejardhjen gjenoveze, atëherë kur Korsika varej nga Republika e Gjenovës (ku ishin dozhë disa shqiptarë të familjes Durazzo, për dy shekuj me radhë), si dhe nga një dokument i vjetër që lidhet me përçapjet e babait të Napoleonit për të marrë një dëshmi titulli fisnikërie nga pushtetarët e atëhershëm të Toskanës, si fisnik i atyre trojeve.

Pra, historianët francezë asnjëherë nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur prejardhjes së largët të Napoleonit, pasi bëmat e tij ishin aq të mëdha, betejat ishin aq të lavdishme, dhe themelimi i një shteti të ri ishte aq vendimtar, saqë asnjë biograf deri më sot nuk ka arritur ta japë të plotë figurën e tij në gjithë dimensionin e vet. Si të thuash ky personazh është identifikuar me historinë e Francës që nga momenti kur shkoi në betejat e para e gjer në fundin e tij tragjik dhe enigmatik në ishullin e Shën Helenës ku mbahej rob nga anglezët, armiqtë e tij të përjetshëm dhe ku vdiq në mënyrë të çuditshme.

Por, a ka bazë ideja se Napoleoni kishte prejardhje të largët nga gjaku i shqiptarëve?

Personalisht nuk do ta hidhja poshtë si një pyetje që i bëhet historisë, por skeptik rreth kësaj pyetje unë do ta formuloja se prejardhja e Napoleonit ka mbetur enigmë. Edhe një nga biografët më të mëdhenj të Napoleonit, francezi André Castelot, duke iu referuar dëshmive të dukeshës d’Abrantes, nënvizon thëniet e saj se “nëna e Napoleonit, Laetizia Ramolino, kur binte fjala për prejardhjen e tyre, humbiste në një mori emrash që s’kishin të sosur…“ Asnjë historian nuk e thotë me siguri se ai ishte korsikan, gjenovez, toskanas, apo nga Mani i Greqisë i banuar atëherë dhe nga arvanitë, siç e thotë dhe shkrimtari e historiani francez Michel de Grèce në librin e tij “Bubulina“. Natalie Petiteau, historiane dhe mjeshtre konferencash, pohon se “Bonaparti kishte një prejardhje gjenoveze, familje e cila ishte shpërngulur dhe ishte vendosur në Ajaccio të Korsikës në shekullin e XV“. Librat Memoires (Kujtimet) e dukeshës d’Abrantes janë pra në zanafillë të prejardhjes arvanitase të familjes së Napoleonit. Po cila ishte kjo dukeshë dhe ç’lidhje kishte me Bonapartin.

Historiani francez Gerard Walter, në një botim të “Pleiade“-s , shkruan se “Laure Permon, emri i saj i mëparshëm – (1784-1838), ishte vajza e një tregetari ushqimesh që u pasurua nga tregëtia e mallrave ushtarake gjatë fushatës ushtarake të Amerikës. Në kthim, ai iu fsheh terrorit që u vendos më vonë dhe shkoi të fshihej në Bordeaux, ku dhe vdiq. Zonja Permon mbeti e ve bashkë me vajzën e saj Laure. Ato bënin një jetë mondane në Paris dhe shpejt, Laure do të njihej me një nga besnikët e Bonapartit, kolonelin Junot.“ Junot, i cili kishte luftuar me Bonapartin (Buonaparte) që në orët e para, e ndoqi atë dhe në Fushatën e Egjiptit. Në kthim Bonaparti që firmosi martesën e tyre duke u dhuruar një prikë prej 100 mijë frangash si dhe një shportë të mbushur me 40 mijë franga. Ajo ishte veçse 17 vjeçare dhe shpejt ishte bërë një nga femrat më spikatëse të Parisit: pra ajo u bë gruaja e komandantit ushtarak të Parisit!

Disa historianë të tjerë flasin për marrëdhëniet intime që ajo kishte patur më parë me Bonapartin, i cili në atë kohë kalonte plot aventura të tilla. Bonaparti ishte një “xhentëlmen“ dhe dinte t’i nderonte mikeshat e veta dhe madje edhe t’i shpërblente. Por le të kthehemi tek zonja Laure Permon, (e cila ishte nga familjet e njohura në trevat e Albanisë që në kohën e Bizancit, pra nga familja Comnene, siç e pranojnë shumë historianë) dhe koloneli Junot, i cili ishte një njeri mjaft trim dhe që në Fushatën e Italisë kishte marrë gjashtë plagë shpatash. Pas martesës më 1800, Junot filloi të bënte një jetë disi skandaloze. Pinte shumë dhe Bonaparti u detyrua ta largonte nga Parisi, duke e çuar ambasador në Lisbonë të Portugalisë. Kur perandori shkoi të luftonte në Austri, çuditërisht Junot e la ambasadën e tij, ngjeshi shpatën dhe shkoi drejt shtabit të tij për të luftuar në krah të Perandorit. Për këtë shembull besnikërie, Napoleoni e bëri guvernator të Parisit. Meqë Napoleoni shkoi drejt luftrave të mëdha nëpër Europë, Junot u bë personazhi më i rëndësishëm ushtarak i perandorisë, pas Napoleonit. Por ndërkohë pati lidhje me Karolinën, të motrën e Napoleonit, e cila ishte gruaja e gjeneralit të famshëm Marat. Kur Napoleoni u kthye dhe e mori vesh kete gjë, e largoi atë përsëri duke e çuar drejt frontit, siç kishte bërë dhe me një të dashur të gruas së tij, Josephine-s, i cili dhe ai përfundoi në front. Junot shkoi të luftonte kundër portugezëve dhe e pushtoi Portugalinë. Pas betejes në Abrante, Napoleoni i dha titullin duk i Abrantes. Për këtë fitore Napoleoni e caktoi komandant të “Armatës së Westfalisë”, por ylli i ushtarakut trim filloi të zbehej dhe ai filloi të bënte përsëri një jetë të çthurur. Në kthim, Napoleoni ia ndaloi qëndrimin në Paris. Ai u detyrua të shkonte në shtepinë e të atit, ku disa ditë më vonë u hodh nga dritarja dhe vdiq.

I shkruajtëm këto rradhë për të treguar se familja d’Abrantes ishte mjaft e lidhur me Bonapartin dhe familjen e tij. Madje dukesha d’Abrantes ishte nga më të afërtat e motrave të Napoleonit dhe e nënës së tij Laetizia. Pra një dëshmi e saj duket se nuk është një trill, por një realitet që e ka gjetur brënda familjes dhe në tregimet e tyre familjare, edhe pse Napoleoni nuk ka folur asnjëherë për një prejardhje të tillë. Historia njeh shumë personazhe që gjatë jetës së tyre nuk e kanë patur të nevojshme të pohojnë origjinën e tyre të vërtetë, duke u mjaftuar me atë që përjetonin për së gjalli. Në Memorialin e Shën Helenës, të kronistit Las Casas, i cili e ndoqi perandorin në ishullin e Shën Helenës, ai shkruan dhe për fjalët që i kishte thënë Napoleoni mbi dukeshën d’Abrantes: “Zonja Junot ishte princeshë e familjes Comnene. Ishte nga Korsika dhe jetonte pranë nesh. Madje familja e saj kishte mjaft detyrime ndaj nënës sime. Në fakt ishin gjenovezët që kishin sjellë nga Mani i Greqisë një familje maniotësh dhe i kishin vendosur në Ajaccio. Njëri nga ta, fermier, shkoi në Versajë dhe u lidh me gruan e ish ambasadorit francez në Konstantinopojë, zonjën de Vergennes. Pikërisht nga kjo familje rridhte zonjusha Junot…”

Vetë Napoleoni na jep një dëshmi mjaft interesante: që ajo rridhte nga arvanitasit e fshatit Mani, ç’ka na vërteton dhe shkrimin e d’Abrantes për historinë e takimit të maniotëve me Napoleonin. Ç’kishte ndodhur në të vërtetë? Në kujtimet e saj, duke folur për “Fushatën e Italisë” të Bonapartit (ai ende nuk ishte bërë perandor), dukesha d’Abrantes tregon se dy nga shefat luftëtarë të Manit, kishin ardhur të takonin Bonapartin. Beu i Manit i kujtonte Bonapartit prejardhjen e tij nga ato anë (pra Bonaparti kishte gjak maniot), duke i kërkuar ndihmë për të sulmuar turqit në trevën e Peloponezit. Njëkohësisht, Bonaparti do të gjente përkrahjen totale të tyre. Pas kësaj, Bonaparti, që atë kohë gjëndej në Milano dha urdhër të niseshin drejt Manit dy vëllezërit Stefanopuli nga Korsika, të quajtur Dimo dhe Nikola. Ata u nisën dhe u pritën nga prijësi i Manit të lirë, Zanet Beu”. Se ç’ka ndodhur pas atij takimi nuk kemi ndonjë të dhënë, por dimë angazhimin e Napoleonit për të shtënë në dorë ishujt e Qefalonisë dhe Peloponezin, edhe pse atje ishin flotat ruse dhe angleze. Por nuk duhet harruar se dhe zonja d’Abrantes ishte nga familja Stefanopuli (Josephine Laura Permon Stephanopuli De Comnene).

Askush nga historianët nuk ka shkruar për këtë takim, pasi askush nuk ka patur kohë të rrëmojë në morinë e arkivave të ushtrisë, të cilat janë të pafund dhe jeta e një njeriu nuk do të mjaftonte për t’i parë të gjitha ato. Eshtë historia e një epopeje legjendare dhe e krijimit të shtetit të vërtetë, të cilin e trashëgojnë sot francezët: Shtetin e së Drejtës!

Napoleoni dhe shqiptarët

Historia e regjimentit shqiptar nën flamurin e Napoleonit, të vendosur në Korfuz është tashmë e njohur. Historiani A. Bopp në librin e tij Napoleoni dhe shqiptarët tregon dhe për marrëdhëniet e Napoleonit me Ali Pashën. Megjithatë fakte të reja dhe të panjohura tregojnë se Napoleoni i vlerësonte shqiptarët dhe tregonte një interes të veçantë për pozicionin gjeografik e strategjik të Shqipërisë. Madje për një periudhë mjaft të shkurtër, vetëm në muajin qershor 1806, shumë letra të Napoleonit përmendin dhe Shqipërinë. Sigurisht, atëherë Napoleoni, që kishte shtabin e tij në pallatin e Saint-Cloud, pranë Parisit, kërkonte të siguronte zotërimet në Adriatik. Eugène, birin e Josephine-s, Napoleoni e kishte caktuar Mbret të Italisë. Më 11 qershor 1806 ai i shkruan të birit, princ Eugene-in për organizimin e ushtrisë: “Jam i informuar se mjaft ushtarë në Dalmaci, në Istri dhe në Friul janë të pa armatosur. Veç tyre duhet të jenë dhe dy regjimente në Shqipëri si dhe një kompani artiljerësh francezë dhe një tjetër me italianë… Forcat tona duhet të zënë pozicion në Kotorr… Gjenerali Lauriston është guvernator i Dalmacisë dhe i Shqipërisë. Ai do të lidhet drejtpërdrejt me ju. Ai do të ketë nën urdhrat e tij gjeneralin Bourbon, që do komandojë në Kotorr, dy gjeneralë të tjerë si dhe një shef batalioni. Meqë ka 18 oficerë, ai duhet të formojë 6 kompani me nga 100 ushtarë secilën, të cilët do të rekrutohen në Shqipëri. Kështu do të kemi një trupë prej 600 ushtarësh. Drejt Shqipërisë dërgoni dhe një shef karpentier me dhjetë ndihmësa francezë e italianë…”

Një ditë më vonë, po nga Saint-Cloud, ai i shkruante gjeneralit Lemarois, ku i kërkonte ndër të tjera t’i dërgonte Lauriston-it barut, transportuar me barka të vogla, të cilat duhej të shmangnin kryqëzorët rusë. “Nëse mbreti i Napolit të kërkon ndihmë, dërgoi polakë e korsikanë. Vendosni postblloqe në Pescara dhe patrulloni nëpër Dalmaci e Shqipëri.” Më 19 qershor, ai i shkruan ministrit të tij të jashtëm Talleyrand: “Ja përgjigja që duhet t’i bëni letrës së Ali Pashës, ku duhet t’i thoni se: – Jam i informuar për dëshirat e tij të mira; – se e mora me shumë kënaqësi shpatën e tij; – se jam mik i Portës së Lartë dhe se e vlerësoj atë; – se duhet menduar se si t’i bëjmë zap serbët dhe t’i përmbajmë grekët, të cilët janë ndihmës të vërtetë të Rusisë; – se ai mund të mbështetet në ndihmën time; – se duke qënë se një pjesë e Flotës është nisur drejt Amerikës dhe nga nevoja për të bërë një inkursion të mundshëm drejt Anglisë, aktualisht nuk mund të çojë para Korfuzit një flotë të barabartë me flotën ruse dhe angleze dhe se për këtë nuk duhet nxituar; – se Rusia ka vendosur të ma lërë Kotorrin dhe se në këtë mënyrë unë do t’i jap pashait gjithë ndihmën e duhur; – se anijet e tij janë të mirëpritura në portet e perandorisë dhe se urdhëroj t’i bëhen dhurata atij që i shërbeu anijes “Ylli i Bonapartit”. Mbi dhuratat, për të cilat kam akorduar 60 mijë franga të bisedohet me Marescalshi. Për këtë t’i shkruani dhe Pouqueville-it dhe t’i theksoni se nëse Korfuzi bie në duart e mia nuk mund t’ia besoj me mirë se sa Ali Pashës. Duhet që letra dhe instruksionet e mia të bëhen të tilla që të mos kuptohen qartë nëse bie në duart e agjentëve. Besoj se Ali Pasha shumë gjëra i bisedon dhe me Portën e Lartë”.

Napoleoni e ndjente se sigurimi i Adriatikut ishte një nga kushtet për fitoren. Më 20 qershor, ai i shkruante sulltanit Selim për tentativat e rusëve që t’i shkëpusin nga perandoria Serbinë, Moldavinë dhe Valakinë dhe se për këtë duhet t’i pengojë anijet ruse që të kalojnë nga Bosfori. “Ne do ta ndihmojmë hirësinë tuaj si shpërblim të zotërimeve dhe interesave tona në Dalmaci dhe Shqipëri”. Po atë ditë, ai i shkruante ndër të tjera gjeneralit Lauriston “Më dërgoni disa informacione rreth Dalmacisë dhe Shqipërisë”. Një ditë më vonë ai shtote se “duhet të mbani lidhje me agjentët e mij pranë Ali Pashës dhe pashait të Shkodrës. Interesohuni që të keni të dhëna se ç’bëhet në Serbi dhe provincat rrotull…”

Napoleoni ndiqte në ethe dhe veprimet në zonën e Ballkanit. Më 28 qershor, ai i shkruante princit Eugène për veprime të ndryshme ushtarake. “Qëllimi im është që të shtyp malazezët që s’janë më shumë se 30 mijë frymë. Ata mund të kenë veç 4-5 mijë forca. Për këtë mund të merremi vesh me pashain e Shkodrës. Kur ta gjykojë të nevojshme, gjenerali Lauriston të dërgojë gjeneralin Guillet që të depërtojë në trevat malazeze, t’i çarmatosë ata dhe me katolikët e Kuvendit të mbushë rradhët e tij dhe të ngrejë një fortesë në pikën strategjike, duke bërë që territori të mbrohet nga pashai i Shkodrës… Paqja me malazezët është e pamundur, nëse nuk i shtypim dhe të mbjellim tmerr në shpirtin e tyre...”

Nga gjithë këto letra duket qartë lidhja dhe shpresa që mban Napoleoni me dy pashallarët shqiptarë. Madje faktet për pashain e Shkodrës janë mjaft interesante. Ai i kërkon të birit që të dërgojë në Shqipëri dhe një batalion tjetër prej 800 ushtarësh. “Do të jetë një përforcim i nevojshëm në Shqipëri, ku do të ketë 22.400 italianë, pa llogaritur topçinjtë dhe xhenjerët. Kërkoj ta mbështesësh Dalmacinë dhe Shqipërinë dhe tu bësh luftë malazezëve…” Po atë ditë, ai i shkruante dhe mareshallit Berthier, mikut të konsullit francez Poucqueville në Janinë dhe njeriut që u morr me regjimentin e shqiptarëve në Korfuz. “Kushëriri im! Jepi urdhër zv/lietnantit Choiseul të shkojë në Shqipëri. Ky oficer, edhe pse shume i ri, ka marrë dekoratën e Legjionit të Nderit dhe këtë duhet ta meritojë gjithnjë duke luftuar. Nëse në armatat tona ka oficerë të tillë të rinj të dekoruar, dërgojini në Dalmaci dhe në Shqipëri”.

Sigurisht, shkrimet për Shqipërinë janë të shumta. Ato janë gjetur nga lexime të rastësishme, por një punë e vërtetë studimore meriton të bëhet në këtë drejtim.

Napoleoni dhe ndihma shqiptare për mbrojtjen e Korfuzit

 Në vitin 1808, një nga frontet e luftës për Napoleonin ishte mbrojtja e Korfuzit nga një sulm i mundshëm i marinës angleze. Për Napoleonin, brigjet shqiptare kanë një rëndësi strategjike jo vetëm për forcat shqiptare që mund të angazhohen por dhe për drithërat dhe ushqimet që mund ti shërbejnë ushtrisë napoleoniane. Francezët kanë garnizonin e tyre në Korfuz dhe ndërkohë kanë krijuar Republikën e Shtatë Ishujve, e cila i është bashkuar perandorisë franceze dhe përfaqësuesi i saj, Theotoki, është pjesë e qeverisjes së tyre. Në shumë letra të kësaj kohe ndihet shqetësimi i Napoleonit për mbrojtjen e ishullit të Korfuzit nga anglezët si dhe vendosjen e një baze ushtarake në jugun shqiptar. Ja çfarë shkruante Napoleoni të dërguarve të tij ushtarakë në janarin e vitit 1808.

“26 janar 1808. Gjeneralit Marmont, komandant i ushtrisë së Dalmacisë.

I kam shkruar prej kohësh një letër gjeneral Sebastianit që në rast të rrethimit të Korfuzit, Porta e Lartë tu krijojë mundësinë e kalimit të një trupe prej 8.000 ushtarësh të cilët do të shkojnë në Butrint. Në Korfuz kam mjete transporti dhe ushtarët që ju mund të shtoni deri në 12.000, të përbërë nga tre divizione që do të hidhet në Korfuz për tu bashkuar me garnizonin që të hedhin në det anglezët… Filloni të dërgoni përmes tokës 50 mushka me barut (çdo mushkë me dy barilë, çka do bëhen 300 barilë. Negocioni me pashain e Shkodrës dhe të Beratit që të keni kalimin e lirë dhe u shkruani atyre. Dërgoni gjithashtu shumë barka të ngarkuara me barut të cilat përgjatë bregut mund të kalojnë drejt Korfuzit përmes kryqëzorëve anglezë. Eshtë e mundur që nga pesë anije me 300 barrilë të arrijnë tre apo katër. Jam dakort me dërgimin e një përfaqësuesi tonë në Berat. Kjo rruge duhet njohur mirë dhe në detaje për çdo vend dhe kjo më intereson shumë. Më dërgoni informacione mbi gjirin e Durrësit e të Vlorës. A mund të hyjnë aty anije lufte dhe fregata? Meqë ju keni në dorë gjithçka atje, dërgoni inxhinjerë dhe marinarë. Mblidhni informacion nga njerëzit e atjeshëm dhe më dërgoni vizatime dhe raporte që ti njoh më mirë këto dy gjire.”

Dy ditë më vonë, nga Parisi, një tjetër letër ai i dërgon komandantit të divizionit të brigjeve të Adriatikut, gjeneralit Lemarois:

“Zoti gjeneral Lemarois. Dua të më shkruani çdo ditë. Më njoftoni për gjithçka që do të niset drejt Korfuzit dhe se me çfarë anijesh. Dërgoni drejt këtij ishulli gjyle të formatit 20,18 dhe 14 si dhe 20 shtretër topi, disa kuintal hekur dhe 1000 vegla për punimet xhenjere. Nuk di nëse dy anijet “brick” italiane janë në Ankona dhe nëse janë gati pëdr tu nisur drejt Korfuzit të ngarkuara me barut dhe municione. Më duket se barkat që do të shkonin deri në gjirin e Durrësit përgjatë bregut, natën do të futen në Korfuz, pavarësisht nga kryqëzorët anglezë. Bëni gjithçka të jetë e mundur pasi Korfuzi padyshim që do të sulmohet në pranverë gjatë prillit.”

Është interesante gjenia e Napoleonit në veprimet ushtarake, çka dëshmohet në gjithë betejat e tij gjer në fundin e apogjeut të vet. Ai merrej me çdo front në mënyrën më skrupoloze dhe në detaje, çka do ishte e pamundur për një tjetër perandor. Më 29 janar ai i dërgon një letër dhe guvernatorit të Shtatë Ishujve ku ndër të tjerë i shkruan:

“Ju do të keni në Korfuz aradhën e gjashtë me gjithë detashmentet e veta që janë në Otranto, detashmentin e lehtë 14 si dhe të pestin italian, përfshi përforcimet e dërguara nga depot, pothuaj 250 “milliers” me barut, bashkë me atë që do të dërgohet dhe nga mbreti i Napolit, çka duhet të jetë nisur nga Ankona. Po kështu dhe 10.000 kv. grurë, 5000 kv. miell që do të sjellë admirali Ganteaume. Shpresoj që vetëm në Korfuz ju do të keni 5000 ushtarë francezë e italianë si dhe 1000 shqiptarë e korfiotë. Eshtë e pamundur që me 5000 ushtarët e tyre, anglezët të zbarkojnë në ishull. Nëse anglezët u sulmojnë dhe ju detyrojnë të tërhiqeni në fortesë, duhet të mbaheni për gjashtë muaj, pasi anglezët nuk janë aq të shkathët në rrethime dhe ndërkohë ju padyshim do të ndihmoheni. Sulltani (Le Grand Seigneur) duke më lënë të lirë Butrintin, qëllimi im është që ju të vendosni menjëherë forcat atje për ta përforcuar atë bastion dhe për të vendosur një bateri topash që të jetë i nevojshëm për mbrojtjen e Korfuzit. Qëllimi im është që të pushtoni Qefalloninë dhe Zanten veçse nga shqiptarët, si dhe Pargën, dhe që në Saint-Maure të kemi shqiptarët dhe vetëm 500 ushtarë francezë e italianë. Meqë do u dërgohen karpentierë dhe puntorë, nuk do të jetë e vështirë për ju të ndërtoni 3-4 anije “chaloupe” të armatosura me topa për të ndihmuar në mbrojtjen e radës. Veç kësaj po jap urdhër që në Korfuz të qëndrojnë 4 fregata dhe 3 “brick”…

Në këtë kohë një tjetër letër i dërgon dhe të vëllait, Joseph Napoleon, i cili është mbret i Napolit.

“Vëllai im! Një nga eskadrat e mia nuk do të vonojë të shfaqet para Korfuzit. Ajo do të jetë aq e fortë sa do ti përndjekë kryqëzorët armiq dhe të jetë e zonja e detit përgjatë shumë ditëve. Bëj të mundur që ajo çka mbetet nga formacioni i lehtë 14 e arradhës 16 dhe në depot italiane me gjithë barutin dhe municionet e luftës, e destinuar për Korfuzin, të jetë gati në Brindizi dhe në Otranto që të jetë aty me shfaqjen e eskadrës sonë. Qëllimi im është që në rast zbarkimi të jenë në Korfuz 4000 francezë e italianë, 1000 ushtarë korfiotë dhe shqiptarë. Porta e Lartë më ka lënë të lirë dhe që 2000 ushtarë ushtarë mund të jenë në Butrint brenda 8 ditëve…”

Vallë ka qenë Napoleoni në Shqipëri

 Deri më sot nuk dimë nëse Napoleoni ka qënë në Shqipëri apo jo. Por disa të dhëna historike të fundit pohojnë se kjo mesa duket është e vërtetë. Por data nuk është saktësuar. Madje as vëndi konkret se ku, në ç’vend të Shqipërisë. Sigurisht, periudha njihet: është ajo e vitit 1796, si dhe më pas, gjatë “Fushatës së Italisë” kur Bonaparti ishte komandant gjeneral. Por cilat janë këto fakte?

Në shënimet e mia, dy janë faktet e deritanishme që flasin për këtë dhe që lidhen me botimin e kronistit Las Casas, Memoriali i Shën Helenës, i mbajtur nga ai gjatë kohës së burgimit të Napoleonit në Shën Helenë. Por së pari, cili është Las Casas, i cili i ka lënë historisë franceze një nga botimet më autentike dhe të treguar nga vetë Napoleoni? Në fakt ai nuk ishte një nga besnikët e tij më të mëdhenj, apo një nga gjeneralët e tij më trima. Madje ai u gjënd rastësisht në mjedisin e pushtetit dhe pikërisht atij i ra roli që të negocionte me anglezët (kapitenin Maitland) ikjen e Napoleonit nga Parisi për në portin francez Rochefort, nga ku bashkë me 30 personalitete të tjerë, ai e shoqëroi atë më pas në anijen “Bellerophon” drejt Shën Helenës.

Las Casas nuk kishte dhunti letrare. Ai veçse ka mbajtur shënim çka i thoshte Napoleoni. Por sidoqoftë, ai nuk mungon të shkruajë për gjendjen e perandorit, marrëdhëniet e tij me anglezët dhe njerëzit e ishullit. Perandori lexonte “Ungjillin” dhe recitonte pjesë nga Corneille që e dinte përmëndësh. Nga Racine çmonte Andromakën dhe Britanicus, nga Homeri Odisenë…. Kishte gjithnjë besim në Revolucionin francez për të cilin thoshte: ”Asgjë nuk mund t’i shuajë principet e mëdha të Revolucionit”. Napoleoni kishte dëshirë të rrinte me fëmijët dhe tu tregonte atyre përrallën Qëngji dhe ujku. Kur Las Casas i sillte me ceremoni supën që do të hante, ai i thoshte “Mjaft më me ceremoni, pasi ne të dy jemi tashmë si ushtarët që hanë në të njëjtën gavetë”. Megjithatë nuk janë të pakta përshkrimet e dëshpërimit të madh të tij për Francën, familjen…

Ja çfarë shkruan Las Casas në kronikat e tij lidhur me Shqipërinë: “E premte, 17, (1816). “Gjithë natën kam qënë sëmurë. Perandori hëngri në kopësht. Pastaj më thirri pranë. Kishte një pamje të trishtë dhe të dërmuar. Nuk ishte mirë aspak. Pas drekës, për një kohë të gjatë ne shëtitëm rreth shtëpisë. Nuk fliste. Nga vapa e madhe, aty nga ora një u detyrua të kthehej në shtëpi. I vinte keq që rrotull nuk kishte aspak hije. Nga ora katër pasdite, dërgoi dikë që të më shihte nëse isha ende sëmurë. Shkova dhe e takova në kopësht, ku qëndronte akoma. Vazhdonte të ishte i trishtë, indiferent dhe disi i hutuar. Bertrand-it (mareshallit) i tregoi për qëndrimin e tij në Kostantinopojë në vitin 1796, udhëtimin e tij në Athinë dhe kthimin e tij përmes Shqipërisë. Folën shumë për sulltanin Selimin e III... “

Në një pasazh tjetër, Las Casas mban shënim historitë që tregon Napoleoni për jetën e tij dhe luftrat e shumta. Një të djelë, duke kujtuar me të Greqinë dhe ngjarjet rreth saj, Napoleoni i thotë: “Greqia priste një çlironjës. Dhe kjo do të ishte një kurorë e bukur lavdie…“ Las Casas shton: “Ai donte ta shkruante emrin e tij krah Homerit, Platonit dhe Epaminondës… Dhe nuk ishte larg kësaj.“ Napoleoni vazhdon: “Kur isha buzë Adriatikut gjatë “Fushatës së Italisë”, i shkrova Direktoratit se para syve të mij shtrihej perandoria e dikurshme e Aleksandrit… Më pas krijova lidhje dhe me Ali Pashën. Përgatita kështu hartat e Maqedonisë, Serbisë dhe të Shqipërisë...“

Napoleoni ishte një strateg i madh dhe ai e dinte mirë se Adriatiku ishte një avant-post i fuqishëm kundër austriakëve dhe gjermanëve, prandaj dhe donte ta kishte nën këmbët e tij. Akoma më i jashtëzakonshëm është një shkrim deri tashmë i panjohur i Napoleonit që lidhet me kohën kur ai ndërmori “Fushatën e Spanjës”, të pasqyruar njëkohësisht në tablotë e Goya-s. Në një moment kur sapo ka hyrë në tokën spanjolle, në fshatin Vergara, në rrugën që të çonte drejt Tolosas, ai kishte shkruar në ditarin e tij: “Rruga është e keqe. Fshatarët të kallin frikën dhe kanë në kokë një kapuç të çuditshëm. Të gjithë janë të veshur me guna të errta dhe kanë këpucë si ato të shqiptarëve...“

Sigurisht, Napoleoni nuk mund t’i njihte këpucët e shqiptarëve, nëse nuk do të kishte qënë në Shqipëri. Padyshim rruga e kthimit nga Athina nëpër Shqipëri i kishte dhënë mundësi të vizitonte viset e jugut shqiptar e të dilte në bregdet, nga ku me anije është larguar drejt brigjeve të jugut të Francës. Nuk ka veçse pak vjet që një botim i shtëpisë botuese franceze “Seuil”, botoi ditarin e Napoleonit që pretendohet se është origjinal. Një specialiste e Mesjetës, Odette Dossios Pradat, e kishte gjetur atë dorëshkrim me shkrimin e Napoleonit në një antikuar ku ishte mbyllur në një sunduk të “Kompanisë së Indisë” dhe për shumë e shumë vjet kishte qëndruar në errësirë dhe i panjohur. Dorëshkrimi nuk kishte emrin e Napoleonit, por ai fliste në vetën e parë dhe tregonte bëmat e tij. Ajo mundi t’ia merrte për pak ditë dhe të kopjonte me shpejtësi një pjesë të mirë të dorëshkrimit të vjetër, por antikeri ia kërkoi shpejt, pasi dyshonte se ishte ndonjë gjë e vyer. Sigurisht, i premtoi se do ta lejonte ta shihte përsëri, por çuditërisht disa ditë më pas ai vdiq dhe bashkë me të u zhduk dhe dorëshkrimi enigmatik.

Libri është mjaft interesant. Napoleoni ndjehet tejet i vetmuar dhe i fyer… Perandori shkruan: “2 maj 1816. Një ishull i humbur në mes të oqeanit nën një qiell pa fund. Një ishull i varfër dhe i xhveshur, i mbrojtur më mirë nga një kryqëzor anglez, sesa nga përbindëshat e tmerrshëm të humbëtirave. Një ishull pa mure, pa hekura e zingjirë, por që është një nga më të pathyeshmit. Një ishull ku robi duhet ta braktisë shpresën që mbajnë në zëmër të gjithë të burgosurit e botës: ajo për të shpëtuar. Një ishull që një ditë mund të jetë varri im: Shën Helena…“ Në vazhdë të këtij ditari, interesant është shënimi për birin e tij ku ai shkruante: “Kur në gusht të viti 1810, Maria Walevska më njoftoi se priste një fëmijë, e falenderova atë nga thellësia e zëmrës. A do ta kisha më së fundi atë trashëgimtar aq të dëshiruar? Më së fundi, më 20 mars 1811, lindi “mbreti i Romës”. Me lot në sy e falenderova gruan time të shtrenjtë. Edhe ajo qante nga dhimbja dhe gëzimi, pasi lindja e atij fëmije e kishte bërë të vuante shumë. Njëqind e një të shtëna topi i njoftuan parizianët për lindjen e Princit, atij që pas vdekjes sime do të bëhej perandori i tyre me emrin Napoleon… Tashmë vetëm im bir më ka mbetur. Ai është i vogël, por vitet do të bëjnë të vetën. Ai do të rritet dhe do të mësojë historinë; do të zbulojë fatin tim dhe atë të atdheut të tij, Francës. Ndoshta një ditë ai do të angazhohet ashtu siç bëra dhe unë në rrugët e nderit dhe të lavdisë. Atëhere uroj që Zoti ti japë atë pjesë tëmënçurisë që mua më mungoi...”

Ky botim dhe të tjera botime të reja rreth Napoleon Bonapartit tregojnë se edhe pse kanë kaluar dy shekuj, jo gjithçka është shkruar rreth figurës së tij, veçanërisht për origjinën e familjes së tij. Padyshim që piktakimet e tij me Shqipërinë dhe shqiptarët meritojnë një studim të veçantë nga ana e historianëve tanë, duke hulumtuar veçanërisht në kronikat ushtarake dhe letërkëmbimet e shumta të Napoleonit me gjeneralët e tij.

 

Exit mobile version