Mediat italiane raportojnë se Interi ka arritur marrëveshje me Romën për transferimin e Radja Nainggolan për 29 milionë euro, si dhe te Giallorossët do të transferohet talenti Nicolo Zaniolo.
Sipas Tuttosport dhe Telelombardia, bisedimet kanë qenë të suksesshme dhe formalizimi i marrëveshjes do të ndodhë më 1 korrik.
Zaniolo, i cili mbush 19 vjet në muajin e ardhshëm, është përfshirë në marrëveshjen për transferimin e mesfushorit belg në Giuseppe Meazza.
Në edicionin e kaluar ai shënoi 14 gola dhe dhuroi 10 asistime në 34 ndeshje për ekipin e të rinjve të Interit.
Te Nerazzurët, Nainggolan do të ribashkohet me ish-trajnerin e Romës, Luciano Spalletti.
Raportohet se futbollisti belg ka arritur marrëveshje personale prej 4.5 milionë eurosh në vit.
Mesfushori është pjesë e Romës që nga viti 2014 kur u transferua nga Cagliari. /Telegrafi/