Telegrafi

Nainggolan debuton me gol në fitoren bindëse të Interit ndaj Bolognas

Inter v Bologna (Foto: Getty Images)

Interi e ka regjistruar fitoren e parë sezonale në Serie A duke mposhtur Bolognan me rezultat 3-0 në udhëtim.

Gjysma e parë e takimit nuk prodhoi gola, edhe pse rastet nuk munguan. Filip Helander e pati shansin e parë të mirë për vendasit, mirëpo intervenoi Samir Handanovic.

(Foto: Getty Images)

Në fund të pjesës së parë, Radja Nainggolan pati një rast të mirë, por goditja e tij shkoi pranë portës.

Keita Balde pati një mundësi të mirë shënimi në fraksionin e dytë pas një pasimi nga Roberto Gagliardini.

Radja Nainggolan debutoi me gol (Foto: Getty Images)

Rezultati u zhbllokua në minutën e 67-të, kur Radja Nainggolan shënoi golin e parë me fanellën e Interit në debutimin e tij si startues. Asistues ishte Matteo Politano.

Pak minuta pas inkuadrimit në lojë, Antonio Candreva e shënoi golin e sigurisë (82′) pas asistimit nga Ivan Perisic.

Ishte pikërisht anësori kroat, Ivan Perisic, lojtari që e realizoi golin e tretë të Nerazzurrëve (85′).

(Foto: Getty Images)

Kjo ishte fitorja e parë e Interit në sezonin 2018/2019 në Serie A, pas një humbjeje dhe një barazimi, dhe numëron katër pikë.

Në tri ndeshjet e para, Bologna ka menaxhuar të arrijë vetëm një barazim dhe numëron vetëm një pikë në këtë fillimsezoni.

Në xhiron e radhës, Interi e pret Parman në Giuseppe Meazza, ndërsa Bologna udhëton te Genoa. /Telegrafi/