Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, Naim Rashiti, duke folur për dialogun, ka theksuar se janë katër opsione se si do të arrihet marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai në një intervistë për Telegrafin ka thënë se të gjitha opsionet janë të hapura, duke e bërë të vështirë kështu të dihet përfundimi i dialogut.
“Dialogu ka shumë gjasë që të dështoj, sepse palët nuk janë të gatshme për të arritur pajtim. Ky është opsioni i parë i shtruar. Veçanërisht të vështirë e bën zgjidhjen mungesa e kurajës së njohjes së Kosovës nga Serbia”, ka shtuar Rashiti.
Sipas tij, prioritet mbi prioritete nga bashkësia ndërkombëtare është vendosur njohja.
Një opsion tjetër është një zgjidhje e modelit të dy Gjermanive, me një status special për veriun dhe me një normalizim të marrëdhënieve pa njohje eksplicite.
“Opsioni i tretë, ridefinimi i kufijve pa shkëmbim. Dhënia e një pjese të komunave të pjesës veriore në shkëmbim të njohjes. Nëse flet për kufijtë, në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk mund të flasësh pa e njohur shtetin e Kosovës në këtë rast”, ka shtuar Rashiti.
Derisa opsioni i fundit që është i papranueshëm në Kosovë, është sipas tij, dhënia e territorit për të marrë territor, duke shtuar se “Serbia do të tentojë të vijë deri në lumin Ibër, sepse Serbia flet për ndarje në urën e Ibrit”. /Telegrafi/