Site icon Telegrafi

Nagavci u kërkon mësimdhënësve të mos mbajnë grevë: Janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi të mërkurën se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023.

Në një konferencë për media, Nagavci tha se është bërë shpërndarja e teksteve shkollore, ndërsa u kërkoi punëtorëve të arsimit që të mos mbajnë grevë.

Sipas saj, greva e nisur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), nuk po mbahet në pothuajse mbi 90 për qind të institucioneve publike, duke u bërë thirrje mësimdhënësve ta konsultojnë legjislacionin në fuqi me grevat dhe të mos bien pre e presioneve.

“Edhe pse kjo grevë u shpall nga BSPK-ja, e njëjta nuk është duke u mbajtur në të gjitha institucionet. Sipas informatave tona, mbi 90 për qind të institucioneve publike nuk po mbahet. Andaj unë kërkoj që të mos ketë grevë as në institucione arsimore. Ju siguroj se gjatë mandatit tim i kemi bërë të gjitha sigurimet e mundshme për punëtorët e arsimit. I kam pranuar në takim sa herë që ka kërkuar SBASHK-u”.

“E njohim organizimin sindikal, por duhet të përmendim se respektimi i ligjit nënkupton atë në tërësi dhe jo pjesërisht. I lus punëtorët e arsimit ta lexojnë ligjin në plotëni. Kemi tejkaluar edhe kërkesat e sindikatave në projektligjin e pagave. Është përmirësuar pozicionimi i stafit në sektor arsimor që është lënë anash nga ligjet e kaluara”, u shpreh ajo.

Derisa foli për rastin e dhunimit seksual të 11-vjeçares nga Prishtina, Nagavci tha se dënon fuqishëm aktin e tillë. Ajo bëri thirrje për reagim institucional dhe ofrimin e shërbimeve për të miturën.

“Për ne si Ministri e Arsimit, në vitin e ri shkollor që po fillon, siguria dhe krijimi i ambienteve të sigurta për fëmijë tanë do të jetë një nga top prioritetet dhe do t’i kushtojmë një angazhim e përkushtim të plotë”, u shpreh ministrja.

“Duke shprehur indinjatën time të thellë për rastin e fundit brutal të dhunimit seksual të miturës 11-vjeçare nga pesë burra në Prishtinë. E dënoj fuqishëm aktin e tillë, duke bërë thirrje dhe duke pritur që reagimi i zinxhirit institucional të jetë i shpejtë dhe efikas në mbrojtjen e të miturës dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse në njërën anë, ashtu si dhe në zbatimin e procedurave ligjore për të dyshuarit në anën tjetër”.

“Vajzat dhe djemtë tanë kanë të drejtë që të rriten në ambiente të sigurta dhe ne duhet t’u ofrojmë këtë siguri. Për ne si Ministri e Arsimit dhe për mua personalisht si ministre e Arsimit, është i pazëvendësueshëm roli i institucioneve edukativo-arsimore në zhvillimin e shoqërisë, ku fëmijët tanë ndihen të lirë, të sigurt dhe të barabartë pa asnjë dallim”.

Dyshohet se gjatë së shtunës, një 11-vjecare është dhunuar seksualisht për orë të tëra nga pesë meshkuj. Gjatë ditës do të protestohet me kërkesat për mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë. /Telegrafi/


Exit mobile version