Telegrafi

Nagavci thotë Astrit Dehari vdiq në duart e Dhurata Hoxhës, Hoxha thotë se VV i çoi në vetëvrasje vëllezërit Dehari!?

Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj publikimeve që i ka bërë sot Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në një konferencë për medie, ku akuzoheshin aktivistët e VV-së, të cilët sipas PDK-së, “kanë kapur shkollat e kryeqytetit”.

Përmes një postimin në Facebook, Nagavci i ka thënë Hoxhës se “po të isha si ti, nuk do mund të flija natën”, duke e akuzuar atë për vrasjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

“Dhurata Hoxha, ministria në ikje e drejtësisë sot paska mbajtur një konferencë për media, një konferencë ku paska folur për “kapjen e shkollave të Prishtinës nga militantët e Vetëvendosjes”.

Dhurata Hoxha, do të ishte shumë e vështirë për mua të shkoj madje ndër mend se një ministre e drejtësisë gënjen e shpif publikisht, por ti tashmë e ke ngrën turpin me bukë, dhe si ish këshilltare e Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe mund të pritet kjo nga ti.

Dhurata Hoxha, dje u bënë nëntë muaj që një i ri i këtij vendi, një student shembullor, një qytetar me angazhim të pashoq për vendin e tij vdiq në duart tua. Dhurata, në kohën sa ti ishe ministre e drejtësisë Astrit Dehari u mor peng dhe u vra nga shteti që keni kapur ti, shefat e tu dhe partia që ti i takon.

Dhurata Hoxha, të isha në vendin tënd nuk do të mund të flija natën, nuk do të mund të shiqoja fëmijët e mi, se do më dilte para syve Arsa Dehari, vogëlushja që kurrë nuk do të shof babain e saj, që ja vrat ti dhe shteti që e keni krijuar, e jo të dilja në konferenca për media për të shpifur publikisht.

Dhurata, Arsa do të rritet e do të jetë krenare gjatë gjithë jetës për babain e saj! Po ti Dhurata cfarë do tu thuash fëmijëve të tu një ditë, si do të arsetosh veten tënde për papërgjegjshmërinë tënde, për veprimet, krimet e gënjeshtrat e tua?” (sic.), ka shkruar ajo.

Hoxha i është i është përgjigjur akuzave të ish-drejtoreshës së Arsimit në Prishtinë, Arbërie Nagavci, ndërsa ka bërë përgjegjëse Vetëvendosjen për vetëvrasjen e dy vëllezërve Dehari.

“E nderuara Znj Nagavci, ju jeni munduar të zhvendosni vëmendjen e opinionit publik nga keqpërdorimet e zbuluara në dikasterin të cilin e keni drejtuar ju dhe atë në barrën e një rasti të dhimbshëm.

Vetëm një mendje e sëmurë do të besonte në atë cka thuani ju duke ma lënë mua fajin për vetëvrasjen e Astrit Deharit. Unë nuk e takova asnjëherë të ndjerin, unë nuk e njihja – përgjigjen për arsyet e vetëvrasjes së tij duhet të kenë ata që e takuan shumë herë në qendrën e paraburgimit, e sidomos para ditëve të fundit të tij. Duhet të tregoni pse u vetëvra edhe vëllau i Astritit duke qenë aktivist i juaji?

Unë sinqerisht nuk e kuptoj se si jetoni ju me këtë barrë në ndërgjegjen tuaj, a thua çfarë bëtë që dy të rinjë i dërguat drejt vetëvrasjes, apo siç javë më parë thoshte bashkëpartiakja juaj, i dërguat në “vetëflijim”?

Për më tepër, nuk e kuptoj se si Shpend Ahmeti asnjëherë nuk dha llogari për vdekjen e dy fëmijëve në gropën e cila nuk u mbyll për shkak edhe të një keqmenaxhimi tjetër në komunën e Prishtinës.
Nuk jeni përgjigjur në akuzat e Degës së PDK-së në Prishtinë. Mos e zhvendosni vëmendjen tek një rast i dhimbshëm por merruni me adresimin e këtyre akuzave me fakte nëse keni!” (sic.), ka shkruar ajo. /Telegrafi/