Site icon Telegrafi

Nagavci: S’kemi raport zyrtar, por kemi informata që procesi mësimor nuk po zhvillohet në veri

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, duke folur për situatën e krijuar së fundmi në veri të vendit, ka thënë se nuk kanë pranuar raport zyrtar nëse është ndërprerë procesi mësimor në ato komuna.

Megjithatë në një konferencë për media të martën, Nagavci ka deklaruar se kanë informata që mësimi nuk po zhvillohet.

Sipas saj, e gjithë kjo situatë vjen si pasojë e organizmit të grupeve kriminale në atë pjesë të vendit.

“Aktualisht jemi në dijeni për situatën atje, sigurisht se jemi të informuar si kabinet qeveritar, por edhe si institucione. Sa i përket asaj, nuk kemi pranuar raport zyrtar nëse është ndërprerë apo jo mësimi, por që kemi informata se atje nuk po zhvillohet procesi mësimor”.

“Unë besoj se kjo është një ndër faktorët kryesor të gjendjes aktuale atje, jo nga nxënësit por nga grupet kriminale”, është shprehur ministrja.

Nagavci tutje ka folur edhe për ndërtimin e katër çerdheve të reja në Prizren, Mamushë, Deçan e Milloshevë – të cilat ka thënë se janë në proces.

Krahas hapjes së tenderit për këto çerdhe, ajo gjithashtu ka dhënë detaje për ndarjen e 70 bursave.

“Aktualisht e kemi të hapur tenderin për ndërtimin e katër çerdheve në Deçan, Prizren, Mamushë dhe Milloshevë dhe ftoj kompanitë që të ofertojnë për këto projekte. Si ministri jemi të përkushtuar për ofrimin e kushteve më të mira për fëmijët”.

“Ndërsa, kemi marrë vendim për ndarjen e bursave, 70 bursa për nxënësit në institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional, në drejtimet deficitare dhe bursat për vajza në drejtimet teknike. Vlera e bursave për nxënës do të jetë 500 euro për një vit shkollor dhe kjo po bëhet me synim të realizimit të objektivit tonë të lidhjes së arsimit me tregun e punës dhe përtej kësaj në forcimin e arsimit profesional”, ka thënë Nagavci, duke shtuar se nga shtatori do të rrisin numrin e profileve të mësimit dual./Telegrafi/

Exit mobile version