Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka vizituar sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e djeshëm të raportuar në “Festën e Abetares”.
Rasti është konsideruar diskriminues për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian.
“Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Nagavci thotë se Ministria e Arsimit ka marrë një varg politikash gjithëpërfshirëse për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
“Sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona. Është e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe mediave e shoqërisë civile”.
“Për rastin e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme”.
Ministrja e Arsimit thotë se megjithatë Kosova ka ende shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve./Telegrafi/