Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka thënë se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet demokratike dhe politike për të kërkuar drejtësi, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ajo theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritej të ishte një vendim me argumente të qarta politike, e jo një vendim politik.
“Për Vetëvendosjen një vendim i tillë është i papranueshëm, sepse e rrëzon dhe Kushtetutën tonë, duket si një vendim i shkruar në të njëjtën linjë si të presidentit Thaçi. Për veprimet tona të mëtutjeshme do të njoftoheni në ditët në vijim, Një gjë është e qartë, ka pakënaqësi tek qytetarët. Edhe më herët qytetarët janë shprehur për zgjedhje të lira”, ka thënë ajo.
Sipas Nagavcit, Komisioni i Venecias ua ka lënë të hapur mundësinë për marrjen edhe të një opinioni pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Në kohën kur kemi dërguar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, kemi dërguar dhe një kërkesë për të marr një opinion nga Komisioni i Venecias, të cilët pasi na e kanë kthyer përgjigjen na e kanë lënë të hapur një opsion për të na dhënë dhe një e mendim tjetër pas dhënies së vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet tona demokratike dhe politike për të kërkuar të drejtën tonë”, shtoi deputetja e LVV-së.
Ndërkaq, e pyetur për protestën e 5 qershorit, ajo tha se nuk është protestë e thirrur nga partia e saj, por nga qytetarët.
Nagavci, po ashtu tha se LVV ende nuk ka paralajmëruar për ndonjë protestë.
Deputetja e LVV-së theksoi më tej se gjuha e presidentit dhe e subjekteve tjera politike është përçarëse.
“Në lidhje me protestën e iniciuar nga qytetarët më 5 qershor, nuk është që LVV-ja e ka marr një vendim të tillë…Gjuha presidentit ka qenë një gjuhë përçarëse dhe këtë gjuhë e kemi pare edhe nga subjektet tjera si nga kryetari i AAK-së. Jemi munduar të respektojmë vullnetin e qytetarëve dhe bashkë me qytetaret do të vendosim për institucionet dhe për verimet tjera”, ka thënë ndër të tjera Nagavci. /Telegrafi/