Telegrafi

Nagavci: Lista Serbe do të jetë jashtë Qeverisë Kurti

Kandidatja për deputete nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, premton qeverisje pa shantazhe nga Lista Serbe.

Nagavci, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se është e rëndësishme që të kemi një konsensus të gjerë edhe brenda vendit në mënyrë që marrëveshja me Serbinë të arrihet.

Ajo ka thënë se Kosova nuk mund të insistojë të bëhet në marrëveshje e shpejt e që do të ishte e dëmshme për Kosovën, përcjell Telegrafi.

“Ne insistojmë për një marrëveshje që është e drejtë dhe është e përshtatshme edhe në formë edhe si proces”.

Nagavci ka thënë se marrëveshja duhet të jetë e pranueshme dhe të në interes të Kosovës.

Ish-deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se në Qeverisjen Kurti dialogu do të fillojë nga poshtë duke u dhënë mundësi të barabarta çdo qytetari të Kosovës.

“Lista Serbe do të jetë jashtë Qeverisë Kurti. Ajo do të jetë në opozitë. Është gabim që përfaqësuesit e një shteti që nuk e njeh Republikën e Kosovës të jenë pjesë e shantazheve të vazhdueshme”.

Nagavci ka thënë se jo të gjithë serbët e Kosovës marrin paga të dyfishta dhe sipas saj ka shumë serb të pakënaqur nga Lista Serbe. /Telegrafi/