Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka kritikuar Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Nagavci ka thënë se Kosova është shteti me numrin më të madh të vdekjeve nga virusi COVID-19, transmeton Telegrafi.
“Nga shteti që ishte shembull për menaxhimin e mirë të pandemisë, në kohën e Qeverisë Kurti dhe ministrit Arben Vitia, tani me Qeverinë jolegjitime Hoti e ministër Armend Zemajn, jemi shteti me më së shumti viktima.
Kur paraqita këtë realitet si shqetësim dhe një nga arsyet për mocionin e mosbesimit ndaj kësaj Qeverie, një analist mu drejtua se është morbide dhe e turpshme të bëhen këso krahasime dhe të manipulohet me shifra. U përgjigja se po është e turpshme manipulimi me shifra, tallja e ministrit të shëndetësisë dhe e patolerueshme humbja e jetëve për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë nga qeveria”, ka shkruar deputetja në Facebook.
Nagavci ka thënë se të gjithë duhet të reagojnë për keqqeverisje.
“Edhe më parë ne i jemi referuar studimeve të instituteve prestigjioze, por tani që ky lajm u publikua nga një medium si Bloomberg nga ShBA, shpresoj se të paktën nuk na fajësojnë që po e themi me zë të vërtetën që e dinë të gjithë.
Madje duhet të reagojmë të gjithë dhe me zë të lartë për këtë keqqeverisje që na solli në krye të listës së zezë të vdekjeve në nivel botëror”.
Ndryshe, numri i viktimave nga COVID-19 në Kosovë ka arritur në 499./Telegrafi/