Telegrafi

Naftëtarët kanë dy kërkesa për Qeverinë – nëse nuk u miratohen paralajmërojnë mbylljen e pompave dhe masa të tjera   

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i ka dërguar letër Qeverisë së Kosovës të enjten, me anë të së cilës kërkojnë miratimin e dy kërkesave.

Letra i është dërguar kryeministrit Albin Kurti, zv/kryeministrit Besnik Bislimi dhe ministrave Rozeta Hajdari e Hekuran Murati, si reagim ndaj propozim-vendimit të Qeverisë për rregullimin e çmimeve të derivateve në vend, sipas së cilit parashihen kufizime në fitimet e naftëtarëve.

Të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë njëjtë si 22 vitet paraprake dhe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, është kërkesa e parë e naftëtarëve.

Por, nëse kjo nuk merret parasysh, ata kërkojnë që marzha të caktohet si më poshtë, kjo duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale:

  1. Shitja me shumicë 3 për qind

  2. Shitja me pakicë 12 për qind

Tute, thuhet se nëse këto kërkesa nuk merren parasysh nga ana e Qeverisë, atëherë janë të detyruar të ndërmarrin masa, përfshirë edhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë vendin.

“Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, jemi të detyruar që të ndërmarrin masa të tjera për të mbrojtur ekzistencën e kompanive tona nga falimentimi përfshirë të mëposhtmet: apelim i vendimit të datës 1 mars 2022, për kompensimin e humbjeve të shkaktuara nga ky vendim, apelim i vendimit të ri, nëse merret duke shpërfillur kërkesat tona të mësipërme dhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në letrën e naftëtarëve, të siguruar nga Telegrafi.

Çmimet naftës në Kosovë po vazhdojnë të rriten nga dita në ditë. Ndaj, të mërkurën Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njoftoi se është duke punuar për të nxjerrë një vendim të ri i cili rregullon çmimet e naftës.

Sipas ministrisë, ligji i ri parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.

“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt”, u tha në komunikatën për media./Telegrafi/