Site icon Telegrafi

“Nadja”, një përpjekje për të hyrë në shpirtin njerëzor

Nga: Luan Rama

– Kush jeni ju? – e kishte pyetur atë Andre Breton (Qui êtes-vous?)

– Jam shpirti bredhacak! – i ishte përgjigjur ajo (Je suis l’âme errante!)

Një përgjigje spontane dhe e ndjerë që përmblidhte gjithçka të jetës së saj.

Ishte ky takim i papritur, disi surrealist dhe onirik i Bretonit që solli më pas ngasjen dhe shkrimin e një romani për të cilin do flitej shumë nga surrealistët, në veçanti, e po ashtu në kritikën dhe historinë e romanit modern francez të shekullit XX.

Atëherë Bretoni ishte në shpërthimin e tij revolucionar për transformimin e shoqërisë franceze e botërore përmes një arti të ri duke shkatërruar gjithçka të vjetër e duke vlerësuar njëkohësisht modernët e epokës së kaluar, siç ishin Bodleri, Rembo, Verleni, Floberi e shumë të tjerë. Ishte një idealist, por me energjinë që e karakterizonte donte të vihej në ballë të kësaj beteje për një kulturë dhe art të ri, siç dhe do shkruante në Manifestin e surealizmit.

Jo pak njerëz mund të pikëtakojnë një vajzë apo një grua të ngjashme si Nadja, por të paktë do të ishin ata që do ta shprehnin këtë me art në një vepër artistike, por dhe si një studim i shpirtit njerëzor. Bretoni kishte kaluar katër vjet studime universitare për mjekësi dhe e dinte se çfarë ishte në të vërtetë shpirti njerëzor. Padyshim, në rastin e tij ky pikëtakim ishte një flirt, një endje në rrugët e Parisit; ishin dashuritë në hotelet dhe diskutimet e ndryshme për artin, shpirtin, botën, kodet morale. Ishte një personazh disi i përhumbur që e tërhoqi menjëherë, kur ende nuk e kishte kaluar cakun e çmendurisë.

Në fillim ai ka vetëm kureshtje dhe më pas, edhe pse nuk e dashuron, përsëri ndjen nevojën e saj. Një forcë enigmatike e shtyn drejt saj. Në një nga takimet, ajo i thotë se “padyshim ai do të shkruajë një roman për të. Duhet që nga kjo histori diçka të mbetet”. Ishte një profeci që shkrimtari e realizoi.

Nadja di të ëndërrojë, të dashurojë pa kushte, në lirinë e qenies. Ajo kishte qenë balerinë dhe vizatimet e saj janë gjithë ndjenja, simbolika, me ankthe dhe përgjërime, çka e tërheq shkrimtarin e ri i cili tek ky personazh real gjen lëndë letrare, art, frymëzim, çka na kujton për një çast botën imagjinare të Migjenit kur shkruante për Shkodrën dhe “një nga ato”.

Kush ishte Nadja në të vërtetë?

Për dekada të tëra kritikët u përpoqën të zbulonin se cila fshihej nën portretin e kësaj femre me një vështrim tragjik në sytë e saj.

Bretoni e takoi atë rastësisht tek shkonte në Rue Lafayette të Parisit, ditë kur ai shëtiste dhe kërkonte ndonjë personazh interesant midis turmës njerëzore. Ishte një ditë të zakonshme kur do blinte një vepër të Trockit në kioskën e gazetës “L’Humanité” të Partisë Komuniste Franceze, një libër të udhëheqësit revolucionar me të cilin e adhuronte. Nadja po ecte rrugës. Edhe ajo në kërkim të një takimi, siç i ndodhte shpesh në ditët e trishta të rinisë së saj. Dhe ja, tek një çast sytë e Bretonit pikasin atë vajzë që ecte në mënyrë krenare, me flokët e saj ngjyrë gruri, një tip interesant veshur tepër thjeshtë, por që vështrimi i saj thoshte shumë. “Kishte një buzëqeshje të padeshifrueshme”, do të kujtonte më pas Bretoni.

Kështu ata takohen dhe shkojnë të ulen në një kafene pranë stacionit të trenave në Gare du Nord, bisedojnë për jetën e tyre, ku ajo i pohon se ishte ndaluar njëherë nga policia meqë merrte drogë nga Haga e Holandës për ta sjellë në Paris. Atij i bëjnë përshtypje sytë e saj dhe ai dëshpërim i rëndë që i shfaqet në fytyrë. Një ditë më vonë do ta takojë sërish. Quhet Leona Delcourt edhe pse Bretonit i prezantohet fillimthi me emrin Nadja, që në rusisht do të thotë “shpirti që bredh”. Por, kësaj radhe çuditërisht ajo është veshur ndryshe, bukur. Nuk ishte më ajo vajza e varfër. “Një poezi e Jany-së e bën të lotojë”, do të shkruajë Bretoni. “Ka pamjen e një poeteje që shkon anash një pylli…”

Më 6 tetor, siç kujton Bretoni, ai e takon në Place Dauphine, në zemër të Parisit ku qëndron statuja ekuestre e mbretit Henri IV. Ajo i tregon një dritare, duke i thënë se një ditë do ta ndriçojë në ngjyrë të kuqe. Nadja është një qenie ëndërrimtare, thua se vetëm aty ajo gjente prehjen e saj nga realiteti i ashpër që e rrethonte. Në kopshtet e Tuilleries, në mesnatë, tek janë ulur në një stol, ajo imagjinon shkrirjen e mendimeve të tyre në ujin e një shatërvani të ngjashëm me atë që është para tyre. Nadja i tregon se më parë disa burra e përdornin për të shitur kokainën në qytet. I pohon se ka një vajzë, Marta, dhe se është në një gjendje të vështirë ekonomike. Bretonit i vjen keq, por takimet e tyre vazhdojnë. Ka një ndjenjë dashurie mes tyre, por dhe një tërheqje enigmatike.

– Cila është kjo femër në të vërtetë? – pyet veten Breton dhe kërkon të depërtojë në shpirtin dhe mendjen e saj.

Një ditë, për t’i ardhur në ndihmë, ai shet një tablo të piktorit Andre Derain që kishte në shtëpi dhe për këtë i tregon dhe gruas së tij, Simone, e cila e pranon një flirt të tillë. Mbase ajo mendon se shkrimtari ka nevojë të frymëzohet, të njohë botë të tjera njerëzore që t’i përshkruajë më pas ato. “Jo, nuk e dua”, i shkruan ai Simones, ndoshta për tu justifikuar, “e megjithatë ajo është e aftë të verë në pikëpyetje atë çka dua dhe si e dua”. Më 12 tetor, të dy, marrin trenin për të shkuar larg Parisit, në Saint-Germain-en Lay ku mbërrijnë pas mesnate dhe kalojnë një natë në krahët e njëri-tjetrit në dhomën e hotelit “Prince des Galles”.

Më vonë, historianët kanë gjetur 27 letra që Bretoni i kishte dërguar nga 9 tetori gjer më 14 mars të vitit 1927, ku shpesh në to gjen të shkruara fjalë të ëmbla dashurie: “Ma cherie Nadja… Mon cher André…”; “Nuk jam veçse një qenie e humbur në kujtime”, i përgjigjet ajo. Në një tjetër letër ajo i shkruante: “Përse mi more sytë? Përse më more dhe më ngrite aq lart e pastaj më le të bija?” Me siguri, për Bretonin ishte një flirt më shumë, një kureshtje për të zbuluar një shpirt të vrarë femëror, ndërsa për Nadjan ishte dashuri, një strehë mbrojtjeje, një shpresë, shpëtim dhe ëndërr për të ardhmen. Lidhur me letrat dërguar Nadjas, Bretoni ka shkruar: “Letrat e Nadjas i lexoja me syrin e atij që lexon tekste poetike dhe që për mua nuk paraqesin asgjë alarmante. Për ta mbrojtur, shtoja veç ndonjë fjalë. Mungesa e njohjes së kufirit midis çmendurisë dhe kthjelltësisë nuk më lejonte të kisha një ide të saktë për atë çka ndodhte…”!

Dhe vërtet, më pas Bretoni e la… Mbyllja e saj në çmendinë e tronditi së tepërmi pasi siç shkruan ai “futja me forcë në çmendinë prodhon të çmendur, ashtu siç burgjet prodhojnë banditë”. E kuptoi gjendjen e saj plotësisht. Kishte patur nevojë për një personazh që ta tërhiqte, për ta deshifruar dhe për të treguar më pas mbi një shpirt njerëzor në rrënim e sipër. Kjo ishte puna e një shkrimtari egoist që qenien njerëzore e shikonte thjesht si një subjekt pa mundur që ta ndihmojë konkretisht, duke e braktisur më së fundi. Kur do të ndaheshin, një çast ajo e kishte pyetur: “Do të shkruani për mua?” Dhe ai vërtet do të shkruante për ta mbajtur gjallë kujtimin e saj. Kështu lindi romani “Nadja”. E trallisur, me shpirt të vrarë, ajo do të mbyllej në fillim në spitalin e Saint-Anne, pastaj në Bailleuil e përfundimisht do të largohej nga Parisi për tu kthyer në gjirin e familjes së saj në Lille.

Më vonë, biografët e Bretonit zbuluan se ajo kishte shuar në mënyrë anonime, duke vdekur nga uria gjatë Luftës së Dytë Botërore, e harruar nga njerëzit, por që mbeti në histori në sajë të këtij romani.

Duke kërkuar për këtë histori si dhe kohën kur u shkrua romani “Nadja”, biografët kanë gjetur dhe një letër të Bretonit të datës 20 mars 1927, ku ai shkruante: “Më njoftuan se ajo është çmendur… Ajo klith, qan, sheh njerëz mbi çati…” Bretoni tregonte se i kishte shkruar familjes së saj në Normandi për t’u interesuar për gjendjen e saj, por ata nuk i kishin kthyer përgjigje duke e konsideruar si shkaktarin e gjendjes së saj të shpërfytyruar. Ajo e kishte dashuruar vërtet. Nuk luante me dashurinë, nuk bënte letërsi, art! Kjo letër ishte djegur si shumë letra të tjera. Në çmendinë ku ishte, Nadja mbante një ditar ku shkruante dhe vizatonte kostume si të Coco Chanel. Por, e vërteta është se Bretoni nuk do ta shihte më.

Romani “Nadja” i botuar në vitin 1928 (roman që ai do ta korrigjonte shumë herë në botime të ndryshme) në kohën e vet u cilësua si një ngjarje e madhe e letërsisë, edhe pse, duke e lexuar sot, mendoj se kjo vepër nuk i përket letërsisë së mrekullueshme. Ndoshta këtë e bënte vetë emri i shkrimtarit si pararendës i surrealizmit dhe një filozof letrar modern, pasi në të ka përshkrime, mendime kërkimi për të deshifruar kufirin midis poetikës dhe çmendurisë dhe vetëm kaq. Është interesant se në vitin 1963, Bretoni e botoi sërish këtë roman, por kësaj radhe skenën e përshkruar në hotelin e Saint-Germain-en-Lay ai e hoqi çka padyshim e cenoi autenticitetin e veprës dhe një episod sensual mjaft interesant. Në vitet 1930-’50, romani “Nadja” konsiderohej si kryevepër letrare e surrealizmit ndërkohë që Paul Morand dhe të tjerë e gjenin një roman përshkrimesh. Për kohën, përdorimi i fotografive si ilustrime të rrugëve, teatrove, takimeve të ndryshme të Bretonit, Tuillerie etj. u panë nga kritikët e letërsisë si diçka novatore, por kjo s’do të vazhdonte gjatë, pasi letërsia e vërtetë s’kishte nevojë për ilustrime.

Në vitin 1960, në rrethin e Bretonit filloi të flitej përsëri për Nadjan. Ishte një grua e Asistencës Sociale që i shkruante Bretonit se një grua nga Norvegjia pretendonte se Nadja ishte ajo. Në të vërtetë ishte thjesht një fanse ekstravagante si ato që përfitojnë në kohë të turbullta për t’u shfaqur si heroina. Por, si ajo ishin dhe femra të tjera që kërkonin të njëjtën gjë, ndërkohë që personazhi i vërtetë kishte vdekur me kohë. Sidoqoftë, historia e një personazhi femëror të mbyllur në çmendinë, vdekja e së cilës, mësohet shumë vite pas vdekjes së saj, na kujton nga larg fatin e dhimbshëm të Camille Claudel, skulptores së talentuar që u dashurua me mjeshtrin e saj Rodin, e cila u çmend dhe vetëm kur vdiq, mbi 30 vjet më vonë, vetëm atëherë shoqëria u kujtua se ajo kishte qenë gjallë.

Duke lexuar sot këtë roman që para disa kohësh është botuar sërish në Paris, e ndjen menjëherë që vepra është disi e shpërndarë, e ndërtuar në tri pjesë, ndërkohë që mund të ishte shkruar vetëm rreth Nadjas dhe fatit të saj në raport me të, pa hyrë në takime me shkrimtarë të tjerë si Paul Eluard etj., apo siç është pjesa e tretë e romanit kushtuar një dashurie të tij të mëpasme me Suzanne Muzard. Vallë për të pohuar se dashuria e vërtetë ishte pikërisht kjo?…

/Telegrafi/

Exit mobile version