Telegrafi

Nadal tërhiqet nga turneu i Parisit, rrezikon finalet e Londrës

Pak orë para ndeshjes çerekfinale të turneut Masters të parisit ndaj Filip Krajinovic, tenisti spanjoll Rafael Nadal, numri 1 në botë, ka ngritur “flamurin e bardhë”, duke u tërhequr për shkak të një dëmtimi.

Problemet fizike në gjurin e djathtë kanë detyruar Nadal të mos zbresë sot në fushë. “Ka qenë një vendim i vështirë për t’u marrë, pasi e adhuroj këtë qytet dhe këtë turne.

Bëra gjithçka ishte e mundur për të luajtur në këtë turne dhe për të luajtur sot, por është e pamundur për të zbritur në fushë. Kam shumë dhimbje dhe në disa momente nuk ecja dot”, ka thënë Nadal.

Spanjolli shprehet se nuk rrezikon të luajë i dëmtuar dhe se mendon për të ardhmen. “Nuk doja të tërhiqesha në mesin e ndeshjes, ndaj vendosa që të mos e luaj atë. Nuk mora asnjë vendim, pasi kam ende shumë përpara për të luajtur”, tha Nadal, që i pyetur nëse do të jetë në fushë në finalet e “ATP Championship”, në Londër, pas një jave, u shpreh “Për momentin nuk mund të flas për Londrën, pasi kam nevojë për disa ditë për të kuptuar gjendjen. Do të bëj gjithçka është e mundur për të luajtur në finalet. Mund të them se sot është një ditë e trishtueshme për mua. Tani do të shkoj të vizitohem të mjekët e mi. Në të shkuarën, terapia ka funksionuar, por tani nuk mendoj për Londrën, por për një të ardhme më afatgjatë”, tha Nadal. /telesport/