Telegrafi

Nadal qëndron numër një në botë pas fitores në finale ndaj Kei Nishikori

Rafael Nadal gjatë ditës së tetë në ATP Masters Series Monte Carlo Rolex Masters në Monte-Carlo (Foto: Getty Images)

Dukej diçka e pamundur, por Rafael Nadal ia doli të fitojë titullin e tij të 11-të në turneun Masters të Montekarlos, duke u konfirmuar si mbreti i fushave me dhe në tenis.

Në finalen e së dielës, numri një i botës mposhti me lehtësi Kei Nishikorin dhe tani do të kërkojë që të fitojë për të 11-n herë edhe dy turne të tjerë: atë të Barcelonës dhe Roland Garros, për t’u bërë përfundimisht një legjendë e këtij sporti.

Nadal e ka fituar turneun Masters të Montekarlos nga 2005-2012 dhe në periudhën 2016-2018. Vetëm katër herë nuk ka mundur spanjolli të largohet nga Principata me trofe.

Rafael Nadal i buzëqeshur pasi fitoi ndaj Kei Nishikori (Foto: Getty Images)

Në vitin 2003 u eliminua në 1/8 e finaleve nga Guillermo Coria, në 2013 humbi në finale ndaj Novak Djokovic, në 2014 u eliminua në çerekfinale nga Ferrer dhe në 2015 u mund në gjysmëfinale nga Djokovic.

Nga 11 triumfet në Principatë, pesë tituj 31-vjeçari i ka fituar pa humbur as edhe një set.

Statistikat e Nadalit në fushat me dhe’ janë të frikshme: tenisti nga Majorka ka fituar 36 sete në këtë sipërfaqe. Nga 76 titujt e fituar në karrierën e tij, 54 i ka siguruar pikërisht në fushat me dhe’.

Lexo po ashtu “Kush jeni ju?”, momenti kur roja e qendrës stërvitore ia ndaloi hyrjen Nadalit sepse nuk e njihte (Video)

Për më tepër, në këtë lloj fushe Nadal ka një bilanc prek 396 ndeshjesh të fituara dhe 35 të humbura, që do të thotë 91.9% e ndeshjeve të fituara, duke e lënë pas Bjorn Borgun, i cili ka bilanc me 251 fitore e 41 humbje, ose 86% e ndeshjeve të fituara.

Për vitin 2018, Nadal ka luajtur 12 ndeshje, nga të cilat ka humbur vetëm një, atë ndaj Cilic në çerekfinalen e Australian Open.

Rafael Nadal duke festuar fitoren ndaj japonezit, Kei Nishikori (Foto: Getty Images)

Rafael Nadal e ka rimarrë tashmë vendin e parë në renditjen ATP dhe kjo do të jetë java e 171 e tij në këtë pozicion, duke kaluar John McEnroe, i cili ka mbetur në kuotën e 170 javëve si numri një i botës.

Diferenca me Federer të vendit të dytë është vetëm 100 pikë dhe nëse Nadal nuk do të fitojë në Barcelonë, ku fitoi vitin e kaluar, atëherë do t’ia lërë zviceranit vendin e parë. /TCh/