Rafael Nadal është eliminuar papritur nga US Open. Tenisti spanjoll, fitues i 14 titujve Grand Slam, u eliminua në raundin e katërt nga Lucas Pouille, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në pesë sete.
22-vjeçari Pouille, i cili ende nuk ka fituar ndonjë turne ATP, tregoi të gjithë aftësitë e tij duke e mbyllur ndeshjen ndaj spanjollit me rezultatin 3-2, pas katër orësh lojë, për të siguruar një vend në çerekfinale, transmeton TCH.
Në kampin e femrave, Angelique Kerber u kualifikua për në çerekfinale pasi mundi një emër të njohur të tenisit, si Petra Kvitova. Kerber u shfaq superiore ndaj çekes, të cilën e mposhti në 2 sete (6-3 dhe 7-5) dhe në raundin tjetër do të përballet me italianen Roberta Vinci.
E vendosi emrin e saj mes çerekfinalisteve të US Open edhe Caroline Wozniacki. Danezja, ish-numri 1 i botës, mundi në raundin e katërt amerikanen Madison Keys me rezultatin 2-0 (6-3 dhe 6-4). Në çerekfinale, Wozniacki do luajë ndaj letonezes Sevastova, e cila eliminoi britaniken Johanna Konta.