Telegrafi

Nadal dhe Medvedev luajnë finalet e Austalian Open në mëngjes: A mundet rusi ta pengojë spanjollin që ta shkruajë historinë në tenis?

Të dielën në mëngjes do të luhet finalja e Australian Open, ku do të takohen Rafael Nadal dhe Daniil Medvedev.

Rafael Nadal do të përpiqet të arrijë titullin e dytë nga gjashtë finale në Australian Open, por më e rëndësishmja është se ai të triumfojë dhe të marr titullin e 21-të të Grand Slam në karrierë, që do ta bëjë atë tenistin më trofeshëm në histori.

Aktualisht, Roger Federer, Novak Djokovic dhe spanjolli Nadal kanë secili nga 20 tituj Grand Slam, dhe një triumf në Melburn do të thoshte shumë për Nadalin sepse Roland Garros do të luhet pas disa muajsh, ku ai është një favorit i madh dhe mund të mposht rivalët më të mëdhenj, për të bërë epërsi prej dy trofeve më shumë në Grand Slam.

 

Nadal ka mposhtur emra si Marcos Girona, Yannick Hanfmann, Karen Khachanov, Adrian Mannarin, Denis Shapovalov dhe Matteo Berretini gjatë turneut, duke humbur vetëm katër sete dhe është më i qetë në krahasim me rivalin që humbi një set më shumë dhe luajti ndeshje shumë më të gjata.

Medvedev, i cili po lufton për titullin e tij të dytë Grand Slam në karrierën e tij, mundi Henry Laaksonen, Nick Kyrgios, Botica Van De Zandschulp, Maxime Cressy, Felix Augher-Aliassime dhe Stefanos Tsitsipas në rrugën e tij për në finale.

Medvedev, i cili është dhjetë vjet më i ri, është favorit në baste, por 35-vjeçari Nadal ka një lojë me të cilën mund t’i përgjigjet rusit që tregoi dobësi gjatë turneut dhe nuk ka dyshim se na pret tenis shumë interesant.

Dueli mes Nadalit dhe Medvedevit fillon të dielën në orën 09:30./Telegrafi/