Site icon Telegrafi

Myslimanët në Kosovë kremtojnë festën e Fitër Bajramit (Video)

Myslimanët në mbarë botën sot kremtojnë festën e Fitër Bajramit që vjen pas muajit të Ramazanit.

Në Xhaminë e Madhe të Prishtinës aty ku u mbajt ceremonia e festimit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i është drejtuar besimtarëve me mesazhin e tij, duke thënë se kjo festë duhet të shfaq unitet në mes të njerëzve pa dallim.

“Kjo ditë është ditë e unitetit, prandaj duhet të shfaqim unitetin në familje dhe me njerëzit e shoqërisë sonë”, tha Tërnava.

Po ashtu, ai ka bërë thirrje për siguri dhe mirëqenie.

“Të mos e lëmë, të mos largohemi, të mos migrojmë, por të punojmë për ditë më të mira të atdheut tonë. Fjalët e mia do të doja të dëgjohen si thirrje për të gjithë ne, për popull e Qeveri, të reflektojmë në të mirën dhe për të mirën e atdheut, tu krijohen mundësi të reja për punësim rinisë tonë, në mënyrë që ata të mos e marrin botën në sy, që tek ne të rinjtë tanë të mos fitohet përshtypja se ky vend është i pa perspektivë e fatin e tyre për jetë më të mirë të mendojnë se mund ta gjejnë vetëm duke u larguar nga Kosova por edhe trojet tona tjera shqiptare”, tha ai.

Lexo po ashtu Thaçi viziton BIK-un: Pas muajit të shenjtë të agjërimit, sot festojmë Fitër Bajramin

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Dëshiroj që të gjithë qytetarëve të ju urojë Fitër Bajramin. Ishte një muaj i shenjtë i agjërimit, solidariteti, mirëkuptimit, paqes, i afrimit të njerëzve më tepër me njëri-tjetrin”, ka thënë Presidenti Thaçi.

Lexo po ashtu Haradinaj në BIK: Urimet më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u prit nga myftiu Naim Tërnava, tha se gjatë muajit të Ramazanit kemi përjetuar një ndjenjë të solidaritetit dhe respektit.

“E kam nderin që edhe në emër të Qeverisë së Kosovës që të uroj Mytfiun Tërnava, të gjithë kolegët e Bashkësisë Islame dhe besimtarët myslimanë të Kosovës, festën e Fitër Bajramit. Kemi pas rastin që gjatë muajit të Ramazanit me qenë bashkë me përjetua një ndjenjë tjetër të solidaritetit dhe respektit të ndërsjellët. Detyra e institucioneve tona është që të mundësoi lirin e besimit, që ta zbatojnë besimin në bazë të bindjeve të tyre”, ka thënë Haradinaj.

Lexo po ashtu Veseli viziton BIK-un, uron besimtarët për Festën e Fitër Bajramit

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili ka uruar besimtarët për festën e Fitër Bajramit, duke shtuar se duhet të duhemi më shumë dhe mos ta urrejmë njëri-tjetrin.

“Urime të gjithëve ju qoftë Bajrami, të gjithë qytetarëve të Kosovës. Më së shumti ata që ndajnë dhimbjen këtë vit, nga Bajrami në Bajram, le të jenë më të fortë. Edhe familjet e atyre që kanë dhënë më shumë për kombin tonë, dëshmorët. Ne si komb të  mendojmë për të ardhmen, të duhemi më shumë dhe mos ta urrejmë njëri-tjetrin por ta ndihmojmë”, ka thënë Veseli.

Lexo po ashtu Ambasadori amerikan uron në gjuhën shqipe: Me Fat Fitër Bajrami!

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një postimi në Twitter është kujdesur që të uroj qytetarët për festën edhe në gjuhën shqipe.

“Për të gjithë ata që festojnë Bajramin në Kosovë dhe në mbarë botën: Me Fat Fitër Bajrami, Bajram Šerif Mubarek Olsun, Bayramınız Kutlu Olsun, Eid Mubarak!”, ka shkruar Konsett.

Lexo po ashtu Jahjaga uron qytetarët për festën e Fitër Bajramit

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një statusi në Facebook ka uruar besimtarët myslimanë për dashuri, mirësi, respekt e tolerancë.

Ndërsa, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, gjatë vizitës në Bashkësinë Islame, ka thënë se është kënaqësi që shqiptarët festojnë bashkë të gjitha festat.

“Ju urojmë të gjithë atyre që kanë agjëruar që Zoti t’i shpërblejë, popullin tonë, vendin tonë. Është kënaqësi që ne shqiptarët mund të festojmë bashkë festat fetare, sepse kjo është mënyra e vetme të duam më shumë familjet, shtëpitë tonë dhe atdheun tonë, sepse shqetësimet i kemi të njëjta kur njerëzit po na ikin”, tha ai.

Lexo po ashtu Dodë Gjergji bashkë me Naim Tërnavën flasin për ikjen e shqiptarëve

Fitër Bajrami pason muajin e Ramazanit, në të cilin agjërohet për sakrificë ndaj Zotit.

Në këtë festë besimtarët bëjnë vizita tradicionale tek familjarët. /Telegrafi/

Exit mobile version