Site icon Telegrafi

Mysafirja dhe kamerieri dëshmojnë për vrasjen në ‘Bon Vivant’ (Video)

Mysafirja Dea Kukaj dhe Burim Hertica, i cili punonte kamerier në “Bon Vivant”, treguan në detaje atë që kishin parë në momentin kur u vra Rrahman Uka më 14 tetor 2014 në qendër të Prishtinës.

Mysafirja Dea Kukaj e cila kishte deklaruar në prokurori se nuk kishte parë asgjë, edhe në gjykatë e tha të njëjtën gjë.

“Unë kam treguar në deklaratë para dy vjetëve se unë nuk kam parë asgjë“, tha Kukaj.

Ajo tregoi se vetëm ka dëgjuar të shtënat.

“Është e vërtetë se nuk kam parë asgjë, të shtënat vetëm i kam dëgjuar,” tha Kukaj.

Lexo po ashtu Ja motivi i vrasjes së Rrahman Ukës (Video)

Më tej dëshmitarja Kukaj shprehu habinë se pse nuk u ftua të dëshmojë në këtë proces gjyqësor edhe një shoqe e saj me të cilën ndodhej në lokal në kohën kur u vra roja.

“E kam diskutuar me shoqen se pse mua më kanë thirrur e atë jo, edhe na ka çuditë ai fakt, pasi që të dyja kemi qenë”, tregoi Kukaj.

Më pas dëshminë e tij e dha edhe Burim Hertica i cili atë ditë tha se po i kryente punët e tij të zakonshme si kamerier.

“Unë isha jashtë në tarracë duke shërbyer dhe në një moment kam parë një femër dhe një mashkull duke dalë dhe duke piskatë ikni”, shpjegoi Hertica.

Lexo po ashtu Familja e të vrarit në “Bon Vivant”: Vrasje pastër që mund të provohet nga 28 dëshmitarë (Video)

Hertica tregoi se nuk e kishte parë kush kishte shtënë në rojtarin e lokalit, pasi ishte larguar duke u futur në hyrjen e një banese përballë “Bon Vivantit”, por deklaroi se dëgjoi dy të shtëna.

Kamerieri Hertica tha se kur doli nga hyrja e banesës e pa rojtarin Rrahman Uka të shtrirë në tokë.

“Jam dalë prej derës së banesës e kam parë një rrëmujë me njerëz. Ka qenë i shtrirë i ndjeri në tokë”, përfundoi Hertica.

Seanca e radhës u caktua më 10 janar 2017.

Rrahman Uka, punonjës sigurimi në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, është vrarë më 14 tetor 2014 në vendin e tij të punës.

Exit mobile version