Site icon Telegrafi

Muzikanti Nile Rodgers rrëfen për problemet e vazhdueshme të Aviciit me alkoolin

(Foto: Getty Images)

Nile Rodgers ka pranuar se ishte shqetësuar gjendjen shëndetësore të Aviciit, pasi DJ i famshëm ishte paraqitur i dehur në një koncert, edhe pse ishte zotuar se nuk do të pinte më.

Frontmeni i “Chic” ka bashkëpunuar me muzikantin suedez në vitin 2013 në këngën “Lay Me Down”, pjesë e të cilës është edhe Adam Lambert.

Rodgers dhe Avicii për herë të fundit kishin performuar bashkë para tre vitesh, ndërsa sjelljet e DJ-it e kishin shqetësuar muzikantin amerikan.

“Isha paksa i pikëlluar, sepse ai më kishte premtuar se do të hiqte dorë nga pija dhe atë natë e pashë të dehur”, ka nisur rrëfimin 65-vjeçari për Associated Press.

“I thashë: ‘Çfarë po bën shok? Çfarë po ndodh? Më kishe thënë se kjo ka mbaruar’. Mbajtëm një koncert dhe isha paksa i mërzitur. Madje nuk qëndrova për performancën e tij, sepse po ma thyente zemrën”, ka thënë Nile.

Megjithatë, Rodgers ka theksuar se përkundër problemeve të Aviciit me pijen, ata kishin kaluar caste të mirë dhe miqësinë e tyre e ka përshkruar si të mrekullueshme.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Avicii

Kur e kishte marrë vesh lajmin për vdekjen e DJ-it, Nile kishte shkruar në rrjetet sociale: Sapo më thanë se miku im i dashur Avicii ka ndërruar jetë. Lutem që të jetë një mashtrim. Nëse jo, pusho i qetë Avicii, një prej melodive më të bukura të natyrës…”.

Shkaku i vdekjes së muzikantit, emri i vërtetë i të cilit është Tim Bergling, akoma nuk është konfirmuar, mirëpo ai ka vuajtur nga disa probleme shëndetësore në vitet e fundit.

Për shkak të konsumimit të tepruar të alkoolit, ai ka pasur vazhdimisht probleme me pankreatitin (inflamacionin e pankreasit), ndërsa në vitin 2014 e kishte hequr edhe apendiksin (zorrën qorre) edhe fshikën e tëmthit. /Telegrafi/

Exit mobile version