Telegrafi

Muzat e Jezercit 2020

Në fshatin malor të Jezercit, nisi edicioni i katërt i Kolonisë Letrare “Muzat e Jezercit”, organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” në Ferizaj,

Të premten, më 23 tetor, u shënua 50-vjetori i themelimit të Klubit “De Rada”. Për veprimtarinë e klubit foli kryetarja Zyrafete Shala, anëtari Arsim Hamiti si dhe ish-kryetari Kemajl Aliu.

Ndërkaq, në ditën e dytë të kolonisë letrare, një orë përkujtimore iu kushtua krijuesit të ndjerë ferizajas Musli Berisha, që vdiq më 2 gusht të këtij viti. Me këtë rast foli miku i tij i fëmijërisë, Muharrem Sfarqa, i cili Berishën (të njohur me pseudonimin letrar Mumir Ferko), e cilësonte si një nga krijuesit më modest të Kosovës dhe një mjeshtër të fjalës.

“Gjatë tërë jetës së tij kultivoi virtytet më të larta njerëzore duke mbetur në kujtesën e bashkëvendësve dhe të gjithë atyre që e njohën, si model i modestisë, urtësisë, sinqeritetit, ndershmërisë dhe humanitetit”, ka thënë ai.

Për krijimtarinë e letrare të Berishës, foli studiuesja e letërsisë, Zyrafete Shala.

“Me krijimtarinë e tij letrare u njoha qysh me botimin e novelës ‘Kujtime në shishe’, botuar nga Toena në vitin 2017, novelë kjo që ishte më shumë se një befasi e këndshme. Tema e saj prek një plagë të ndjeshme të historisë më të re kombëtare – shpërthimin e urrejtjes demoniake të pushtuesit serb ndaj popullatës shqiptare dhe shpërfaqjen e krimeve ngjethëse të bëra mbi të burgosurit e burgut të Dubravës, që tanimë njihet si Masakra e Dubravës. Me këtë vepër ai paraqiti jo vetëm tragjizmin e kësaj ngjarjeje, por depërtoi edhe në thellësi të personazheve që i përjetuan ato skena tronditëse, të cilat do të mbeten përjetësisht si dëshmi e degradimit njerëzor”, ka thënë ajo.

Sipas saj, të tilla, për nga vlera letrare, janë edhe katër romanet e tjera të tij dhe drama, të botuara brenda periudhës 2017-2020.

“Tërë krijimtaria letrare e Musli Berishës qëndron brenda kornizës së estetikës tradicionale realiste, mirëpo ai shfaqet me një gjuhë të pasur, të kultivuar, narracion të rrjedhshëm dhe shumë tërheqës. Na këto elemente nuk është vështirë të kuptohet se krijimtaria e tij është rezultat i një ndjeshmërie, vëzhgimi e akumulimi të kultivuar gjatë tërë jetës, për të shpërthyer në një moment të caktuar. Mendoj që ky shpërthim i befasishëm i kreativitetit letrar, në prag të braktisjes së kësaj bote, nuk është i rastësishëm; me këtë akt Musli Berisha ato përvoja e përjetime që i ofroi jeta, i huazoi, i transformoi në art dhe ia ktheu sërish kësaj bote, por ia ktheu si gjurmë të tij në jetë. Shpresoj që shpejti do të botohet edhe romani tjetër, i lënë si dorëshkrim, dhe do të kemi rast sërish të flasim për krijimtarinë e tij”, shtoi Zyrafete Shala.

Në këtë takim, u diskutua edhe drama e tij “Shihemi prapë unë e ti (Grindje e përjetshme në periferi të Ferrit)”, për të cilën botuesi Berat Armagedoni ka shkruar se i duhet teatrove të Kosovës.

Kolonia Letrare “Muzat e Jezercit” mbyllet ditën e tretë, më 25 tetor, me aktivitete të anëtarëve të rinj të Klubit Letrar “De Rada”.