Shkodran Mustafi është lojtari i fundit që ka folur në lidhje me vendimin e Mesut Ozilit për t’u pensionuar nga Kombëtarja e Gjermanisë.
Ozil mori vendim para disa ditësh të pensionohet nga futbollit ndërkombëtar, pas presionit nga tifozët dhe gjithë rreth i futbollit në Gjermani, pas postimit të një fotografie të lojtarit me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Megjithatë, vendimi i tij ka bërë që shumë futbollistë t’i dalin në mbrojtje dhe një i tillë edhe bashkëlojtari i tij me prejardhje shqiptare, Mustafi.
“Më bëri të habitem. Ai mori vendimin e tij pas kësaj kohe, kur ai ishte në vete dhe mendonte për të ardhmen e tij”, ka thënë fillimisht Mustafi.
“Mendoj se është një vendim personal që ai ka bërë. Si bashkëlojtar dhe shokë, qëndroj pranë tij dhe nëse ka nevojë për ndihmë, unë jam aty për të”.
“Natyrisht, jam pak i zhgënjyer sepse mendoj se është një futbollist i shkëlqyer që i ka dhënë shumë ekipit gjerman”.
“Nga pikëpamja ime, ai do t’i mungojë kombëtares, por është një vendim personal dhe ne duhet ta respektojmë atë”, përfundoi mbrojtësi shqiptar.
Ndryshe, Mustafi dhe Ozil janë bashkëlojtar te Arsenali, teksa kanë qenë të dy pjesë e ekipit fitues të Kupës së Botës në vitin 2014. /Telegrafi/