Telegrafi

Mustafa viziton Gjakovën: Mimoza s’ka asnjë befasi për të!

Pritjet e Mimoza Kusarit në derë të Komunës, janë bërë të zakonshme. Tri ditë pasi e përcolli kryeparlamentarin Kadri Veseli, e një ditë më parë ministrin e Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavilecin, e para e Gjakovës e ka mysafir kryeministrin, Isa Mustafa.

Për të parën e kësaj komune, vizitat e tilla të krerëve institucional, do të shërbejnë në të mirë të banorëve.

“Po flasim për zhvillimin ekonomik…”, ka thënë ajo.

Por, Mustafa nuk u befasua të shtunën, siç i ndodhi të mërkurën kryetarit Veselit. Pavarësisht kësaj, shefi i ekzekutivit tha se zhvillimi i kësaj Komune që udhëhiqet nga AKR-ja, do të jetë prioritet i programit ekonomik të qeverisë së tij.

“Kemi plan me i zhvillu vendet kufitare”, tha ai.

Këto premtime për gjakovarët Mustafa i tha edhe para se të vinte në Komunë, kur mori pjesë në shënimin e përvjetorit të degës së partisë së tij. /Klan Kosova/

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa:

Ne kishim një bisedë mjaft përmbajtjesore me kryetaren e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari.

Biseduam lidhur me çështjet që më së shumti e preokupojnë Gjakovën në këto momente, por nuk janë çështje vetëm të Gjakovës, janë çështje të cilat na preokupojnë të gjithë neve, e që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe domosdoshmërisht me një zhvillim më të baraspeshuar të të gjitha pjesëve të Kosovës. Ne e konsiderojmë se në këtë aspekt Gjakova duhet të ketë përparësi sepse është një vend kufitar, i cili ka qenë mjaft shumë i zhvilluar më parë. Kemi një traditë shumë të madhe të Komunës në të gjitha fushat, dhe atë traditë ne duhet ta shfrytëzojmë si një prej resurseve shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në të ardhmen, edhe në fusha të ndryshme të industrisë por edhe në bujqësi, për arsye të një historie dhe të një trashëgime e cila është specifike për Gjakovën dhe për rrethinën, sepse zhvillimi i Gjakovës nuk ka reflektuar vetëm në Gjakovë por edhe në rrethinë. Ne jemi të interesuar që ta rikthejmë atë, që t’ju ndihmojnë, që përmes masave nxitëse ekonomike të orientojmë investitorët këtu, por para së gjithash të krijojmë kushte që objektet ekonomike që janë këtu, pasuritë ekonomike që janë këtu të funksionalizohen, të vihen në shërbim të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik pa marrë parasysh aspektin pronësor të tyre.

Jemi duke punuar me ministritë përkatëse që të bëjmë disa ndryshime të legjislacionit, të cilat do të jenë tërheqëse për investitorët e jashtëm, të bëjmë ndryshime sa i përket politikave fiskale, në mënyrë që të lirojmë investitorët në vitet fillestare nga disa obligime fiskale që ata i rëndojnë, dhe poashtu të ndërmarrim masa tjera nxitëse të politikave ekonomike, të cilat do ta bëjnë atraktive edhe investimin në Kosovë, por edhe në Gjakovë dhe në viset tjera të vendit tonë.

Ne biseduam edhe për çështje konkrete. Do të mundohemi që përmes ministrive përkatëse të trajtojmë kërkesat konkrete të Komunës së Gjakovës të cilat natyrisht se janë të arsyeshme dhe që bashkërisht të ndërtojmë një konsensus të zhvillimit i cili do t’iu shërbej qytetarëve të Gjakovës dhe qytetarëve të Kosovës.

Fjala e kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila:

Faleminderit shumë për prezencën tuaj.

Sot në Komunën e Gjakovës na ka nderuar me prezencën e tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Dr. Isa Mustafa, bashkë me ministrat, ministrin e Financave, Avdullah Hoti dhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Është kënaqësi dhe nder i veçantë që patëm rastin që me kryeministrin të bisedojmë për politikat zhvillimore në veçanti që janë fokus edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës por gjithashtu edhe të Komunës së Gjakovës. Ne si Komunë me një të kaluar industriale dhe një zhvillim ekonomik, sfidë në vete e kemi për këtë mandat kthimin e agjendës zhvillimore, kthimin e mirëfilltë të vendeve të punës, kthimin e investimeve. Bashkë me kryeministrin dhe ministrat biseduam për atë që Qeveria e Kosovës është duke i ndërmarrë hapat konkret në rritjen e investimeve në Kosovë, në përmirësimin e politikave për një mjedis afarist të mirëfilltë, e natyrisht të gjitha këto do të kenë një ndikim të veçantë edhe në zhvillimin lokal.

Komuna e Gjakovës ka kërkesa të veçanta të cilat janë dorëzuar më herët edhe në mandatin e kaluar edhe në këtë mandat, të cilat konsistojnë në krijimin e infrastrukturës për zonën ekonomike të Gjakovës dhe besojmë që me vendimet dhe me ndryshimet legjislative të cilat është duke i ndërmarrë Qeveria shumë shpejt mund të hyjmë në biseda dhe vendime konkrete me Qeverinë e Kosovës për krijimin e kësaj infrastrukture.