Site icon Telegrafi

Mustafa: Vetëm 18% e grave në Kosovë janë të angazhuara në sektorin e biznesit

Saxhide Mustafa, koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave, theksoi rëndësinë e zërit të grave në pozitat e tyre gjatë një interviste në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com.

Ajo nënvizoi se “në Kosovë kemi gra që e kanë dëshmuar veten në sfera të ndryshme, duke përfshirë dy gra presidente, ministre, deputete dhe asambliste. Këto gra janë modele që na shërbejnë dhe kërkojnë një zë më të fortë për fuqizimin ekonomik të grave”.

Mustafa vazhdoi duke përmendur sfidat e grave jashtë Prishtinës, duke thënë: “Prishtina është një ‘shtet’ brenda një shteti, por jashtë saj, problemet janë më të mëdha. Ne jemi ende një shoqëri patriarkale me paragjykime të theksuara”.

Në lidhje me gratë ndërmarrëse, ajo theksoi se “vetëm 18% e grave në Kosovë janë të angazhuara në sektorin e biznesit, dhe pavarësisht se disa prej tyre po performojnë mirë, ato hasin barriera…”.

Saxhide Mustafa, koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave/Foto: Ridvan Slivova

Mustafa e identifikoi financimin si barrierën kryesore. “Mungesa e financimit dhe e pronës janë pengesa serioze për gratë që duan të marrin kredi për të zhvilluar bizneset e tyre”, tha ajo.

Ajo përmendi gjithashtu sfidat që hasin gratë në menaxhimin e kredive, duke theksuar se “interesi i lartë i kredive e vështirëson performancën e tyre, sidomos kur një biznes ka nevojë për një periudhë rritjeje prej tre vjetësh”.

“Mbështetje e plotë është e domosdoshme”, vazhdoi Mustafa, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së shkathtësive dhe pjesëmarrjes së grave në panaire dhe rrjete të ndryshme.

Mustafa kërkoi gjithashtu reforma të nevojshme në Ligjin e Punës. “Qeveria e ardhshme duhet të vendosë si prioritet reformimin e Ligjit të Punës, pasi ne kemi hasur në vesh të shurdhër gjatë punës me Qeverinë Kurti”.

Ajo po ashtu theksoi rëndësinë e angazhimit të shoqërisë civile në amendamentimin e ligjeve.

Saxhide Mustafa, koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave/Foto: Ridvan Slivova

“Shoqëria civile duhet të përfshihet aktivisht në hartimin dhe plotësimin e ligjeve, sepse ne nuk do të pranojmë ligje që nuk janë të bazuara në direktivat evropiane.”

Ajo përfundoi duke theksuar rëndësinë e pushimit prindëror si një faktor që ndihmon në mosdiskriminimin e grave në tregun e punës: “Kjo duhet të jetë një nga prioritetet tona, sepse jemi vonë dhe situata kërkon veprim të shpejtë”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version