Site icon Telegrafi

Mustafa: Trepça pa metalurgjinë e plumbit dhe zinkut nuk mund të ekzistojë (Video)

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, në një intervistë për Telegrafin ka folur për Trepçën, draftstatutin e përgatitur nga Bordi i saj, si dhe për problemet me të cilat mund të përballet ky kombinat në të kaluarën. Ai ka thënë se pa metalurgjinë e plumbit dhe zinkut, Trepça nuk mund të ekzistojë.

Ndërkaq për borxhet e Trepçës, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, ka thënë se më shumë janë paga të papaguara të punëtorëve në sistemin e kaluar dhe borxhe të Qeverisë së Kosovës, sesa borxhe reale.

“Në statut po shihet se nuk janë metalurgjia e plumbit dhe zinkut, kur dihet se Ligji i ka futur këto. Trepça pa metalurgjitë, nuk mund të ekzistojë. Dilema ka qenë se a do të aktivizohen metalurgjitë ekzistuese, që janë edhe të dëmtuara. Metalurgjia e plumbit dhe e zinkut kanë edhe borxhe dhe kanë teknologji të vjetëruar”, tha ai.

Sipas Mustafës, duhet të gjenden zgjidhje e mirë edhe për pozitën e minatorëve, sa i përket pensionimit me ligje të tjera.

Ai ka thënë se pretendimet për borxhe të Trepçës, më shumë janë pretendime sesa borxhe reale.

“Te borxhet ka propaganda, rreth 80 për qind të tyre janë kërkesa të pagave të minatorëve për përjashtime nga puna në të kaluarën, 100 milionë euro janë të Qeverisë së Kosovës, por ka edhe borxhe të pa verifikueshme”, tha Muhamet Mustafa, profesor i ekonomisë.

Sipas tij, pretendimet dhe borxhet e Trepçës nuk duhet të jenë pengesë për zhvillimin e saj. Ai ka thënë se me borxhet e Trepçës duhet të merret Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Profesori Mustafa ka thënë se nuk është problem të arrihet rritja ekonomike prej 4 për qind, por sipas tij, rritja ekonomike për vitin 2018 është dashur të shkojë deri në 6 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version