Site icon Telegrafi

Mustafa: Trende pozitive në rritjen e të hyrave nga ATK -ja

 

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka vizituar sot Administratën Tatimore të Kosovës ku u prit nga drejtori i përgjithshëm Sakip Imeri.

“Kemi trende pozitive të rritjes së të hyrave edhe tek tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili grumbullohet brenda, edhe tatimi në të ardhurat e korporatave, edhe tatimi në të ardhurat personale. Ka ecuri të mirë edhe sa i përket implementimit të Ligjit mbi faljen e borxheve, ka ecuri të mira sa i përket fiskalizimit. Por, konstatuam bashkërisht se ne do të punojmë edhe më tutje këtu sa i përket veçmas fiskalizimit të njësive që merren me tregtimin e naftës dhe derivateve të saj”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Gjatë takimit është biseduar edhe lidhur me strukturimin dhe rritjen e efikasitetit, ku Mustafa ka thënë se u konstatua bashkërisht se duhet të vlerësohet përformanca dhe profesionalizmi i çdo punonjësi pasi është fjala për bizneset, të cilat, siç tha kryeministri, po bëjnë një punë shumë të rëndësishme për Kosovën, për punësimin e njerëzve”, tha Mustafa.

Drej tori i ATK-së Sakip Imeri, tha se trendi i të hyrave është pozitiv duke e vlerësuar me nota të larta edhe çështjen e menaxhimit të stafit.

“Jemi zotuar se për të gjitha detyrat që na obligon ligji ne do të jemi të përkushtuar dhe do t’i kryejmë detyrat për të cilat jemi të thirrur. Trendi i të hyrave është pozitiv. Është një trend i mirë i të hyrave në raport me të kaluarën në të gjitha llojet e tatimeve. Po ashtu edhe çështja e menaxhimit të stafit është një menaxhim i mirë, është një përkushtim në punë dhe një prezantim i rezultateve nga puna e gjithë tatimpagueseve që përmbushin në mënyrë vullnetare tatimet”, tha Imeri.

I pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Gjatë konferencës për media u trajtuan edhe temat që lidhen me bashkimin e dy agjencive, ATK-së dhe Doganave, fiskalizimin e bizneseve në pjesën veriore e të tjera./Telegrafi/

Exit mobile version