Site icon Telegrafi

Mustafa: Të papërgjegjshme dhe tendencioze sulmet ndaj ministrit Demolli

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë partiake.

Mustafa ka theksuar se ministri i FSK-së, Haki Demolli përmes një letre dërguar atij, presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli, i ka njoftuar për qëndrimet dhe opinionet e partnerëve tanë strategjik lidhur me dhënien e rolit të ushtrisë FSK-së.

Lexo po ashtu Ministri i FSK-së Haki Demolli përcjell shqetësimet kundër transformimit të FSK-së (Dokument)

“I konsideroj të papranueshme, të papërgjegjshme dhe tendencioze sulmet e tilla ndaj ministrit Demolli si dhe nxjerrjen e letrave zyrtare në opinion për efekte politike”, ka shkruar në Facebook, Mustafa.

Ndërkaq sot në media është publikuar letra e Demollit drejtuar krerëve të shtetit, duke thënë se ministri është shprehur kundër transformim të FSK-së.

Postimi i plotë i Mustafës:

Të nderuar qytetarë,
Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë partiake. Ministri i FSK-së, z Haki Demolli ka qenë dhe është për transformimin e FSK-së në ushtri. Letra që ai e ka dërguar në adresë të Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit, shpreh përgjegjësinë e tij si ministër për të njoftuar institucionet e larta shtetërore për qëndrimet dhe opinionet e partnerëve tanë strategjik lidhur me dhënien e rolit të ushtrisë FSK-së.
Z. Demolli më ka njoftuar mua paraprakisht dje me bisedën me partnerët dhe unë e kam këshilluar që për të gjitha këto çështje të njoftojë edhe Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit. Edhe unë si Kryeministër i kam njoftuar me letrën që e kam marrë nga Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ditën kur është mbajtur debati në Kuvendin e Kosovës lidhur me FSK-në.
I konsideroj të papranueshme, të papërgjegjshme dhe tendencioze sulmet e tilla ndaj ministrit Demolli si dhe nxjerrjen e letrave zyrtare në opinion për efekte politike./Telegrafi/

Exit mobile version