Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa bashkë me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë̈, Xhafer Tahiri kanë vizituar bujqit që u preken nga përmbytjet e fundit.
Kryetari Tahiri ka thënë se gjatë takimit me ministrin e Bujqësisë kanë diskutuar dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet që kanë ndodhë me datën 17 dhe 18 gusht.
Tahiri ka thënë se nga këto vërshime janë dëmtuar shumë kultura bujqësore dhe ekonomi familjare. Ai ka thënë se komuna ka formuar komisionin komunal për vlerësim të dëmeve dhe deri me tani janë 268 fermerë, biznese dhe ekonomi familjare kanë paraqitur kërkesën për kompensim të dëmeve.
Ai shton se vlera totale e dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore në Pestov, Dumnicë, Stanovcë i Epërm e Lumadh përfshinë shumën prej 900 mijë euro.
Gjithashtu, ai ka thënë se komuna e Vushtrrisë, nga buxheti i saj do të ndajë 110 mijë euro për të bërë kompensimin e këtyre dëmeve.
Ndërsa Mustafa ka thënë se përveç pandemisë COVID-19, dëme kanë shkaktuar edhe reshje të shumta të cilat kanë dëmtuar shumë kultura bujqësore si dhe biznese.
Mustafa ka thënë se për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore janë ndarë 3.1 milionë euro. Ai ka thënë se do të mundohen t’i kompensojnë pjesërisht këto dëme pasi që qeveria nuk ka fuqi financiare për t’i mbuluar të gjitha dëmet. /KP/