Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, i cili është shoqëruar nga Samuel Paice, Kryesues i Departamentit Politik në Ambasadën e MB-së.
Sipas njoftimit per media, ambasadori Abbott uroi kryetarin Mustafa për mbarëvajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare dhe shprehu interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për përkrahjen e procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
Kryetari Mustafa njoftoi ambasadorin Abbott për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës.
“LDK-ja, në Qeverinë e ardhshme, do të përqendrohet në funksionalizimin e shtetit ligjor, arsimit, shëndetësisë, integrimeve evropiane si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Mustafa.
Poashtu, Mustafa, duke falënderuar Ambasadorin Abbott për përkrahjen e shtetit të tij ndaj Kosovës në të gjitha sferat, potencoi domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit Kosovë – Mbretëri e Bashkuar. /Telegrafi/