Kryeministri Isa Mustafa nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se hartat e Departamentit të Shtetit Amerikan janë më të sakta sesa ato të ekspertëve vendorë. Për këta të fundit, ai ka thënë se nuk i kanë vënë as vijat e tokave të tyre, e jo më ato të një kufiri shtetëror.
“Logjika e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së sot ishte se më të sakta janë hartat që i ka Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kufijtë e vendeve të Ballkanit, pra ata që intervenuan ushtarakisht në Kosovë, sesa hartat e do ekspertëve tanë (që as megjat e tokave të veta nuk i kanë vënë e lere më të kenë përcaktuar një kufi shtetëror- vërejtja ime) e që po e kundërshtojnë demarkacionin me Malin e Zi”, ka shkruar Mustafa.
Ai më tej ka thënë se DSH i SHBA-ve kishte konstatuar se kufijtë e vënë nga Komisioni Shtetëror i Kosovës, janë në vijat ku SHBA ka pranuar pavarësinë e Kosovës.
“LDK ka besim të plotë në konstatimet e SHBA-ve dhe të vendeve të BE-së”, përfundon Mustafa.