Telegrafi

Mustafa: Prioritet i Qeverisë, shëndetësia, arsimi dhe zhvillimi ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vënë sot gurthemelin e Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Gjilan.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa tha se Qeveria e Kosovës i ka dhënë prioritet themelor shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik, duke theksuar se këto janë tre shtylla të cilat ndërlidhen mes vete.

“Ne do të kujdesemi për shëndetin e popullatës dhe për avancimin e shëndetit publik. Instituti ka bërë një punë të rëndësishme së bashku me Ministrinë në këtë fushë. Ne e vlerësojmë lartë punën që është bërë, por po ashtu duhet të konsiderojmë që të investojmë më tepër në ndërtimin e objekteve në mënyrë që edhe punonjësit shëndetësorë, por edhe shfrytëzuesit e shërbimeve shëndetësore publike, të kenë kushte më të mira të punës dhe të ofrimit të këtyre shërbimeve”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se ky investim po bëhet me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë nà « vlerë prej rreth gjysmë milion euro duke shprehur besimin se në vjeshtën e vitit të ardhshëm, objekti do të jetë i gatshëm dhe do të ofrojë kushte shumë më të mira.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se përkrahja e Institutit do të thotë përkrahje e një shëndetësie të mirë, e programeve parandaluese, zbuluese të hershme, politikbërje në fushën e shëndetësisë në kohë reale dhe promovim i jetës së shëndetshme për një popullatë të shëndetshme.