Kryetari Isa Mustafa së bashku me nënkryetarët e LDK-së, kanë takuar sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.
Në njoftimin e bërë nga LDK, thuhet se gjatë takimit kryetari Mustafa njoftoi ambasadorin Kosnett lidhur me rrjedhën e diskutimeve me Lëvizjen Vetëvendosje, sa i përket çështjeve programore.
“Në veçanti, u diskutua lidhur me harmonizimin e arritur deri tani në fushën e sundimit të ligjit, ekonomisë, çështjeve sociale, arsimit e shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e bërë nga LDK, transmeton Telegrafi.
Tutje në njoftim thuhet se, kryetari Mustafa shprehi interesimin e LDK-së që Kosova sa më shpejtë të ketë institucione funksionale që dalin nga kërkesat e qytetarëve për ndryshim, të shprehura qartë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Mustafa po ashtu falënderoi ambasadën e Shteteve të Bashkuara për përkrahjen e vazhdueshme në të gjitha proceset në të cilat ka kaluar Kosova./Telegrafi/