Site icon Telegrafi

Mustafa premton liberalizim vizash e investime të huaja për vitin 2016

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës që sot i ka bërë Degës së LDK-së në Prizren, ka theksuar se viti i ardhshëm do të jetë vit i rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe vit i integrimeve të mëtejshme evropiane.

Mustafa, në këtë vizitë, ka takuar drejtuesit dhe veprimtarët e LDK-së në Prizren, duke çmuar lartë përkushtimin e tyre për fuqizimin e proceseve demokratike në Prizren dhe më gjerë, përmes aktivitetit në LDK.

Ai ka përmendur prioritetet për vitin 2016, duke theksuar se “viti i ardhshëm do të jetë vit i rritjes së qëndrueshme ekonomike, i investimeve të huaja, i hapjes së vendeve të reja të punës, dhe vit i integrimeve të mëtejshme evropiane, duke filluar nga liberalizimi i vizave”.

Kreu i LDK-së po ashtu ka kërkuar nga drejtuesit dhe veprimtarët e LDK-së që të vazhdojnë konsolidimin dhe kontributin e tyre të pazëvendësueshëm për zhvillimin e proceseve demokratike në Prizren dhe më gjerë, për shtetin e Kosovës.

Mustafa, gjatë qëndrimit në Prizren, ka marrë pjesë edhe në shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike Boshnjake.

Para të pranishmëve në këtë ceremoni, ai ka vlerësuar lartë rolin e komunitetit boshnjak dhe të Partisë Demokratike Boshnjake për proceset shtetformuese në Kosovë që nga viti 1990, kur u themelua menjëherë pas LDK-së.

Mustafa çmoi edhe kontributin që kjo parti po vazhdon të japë aktualisht, si partnere e koalicionit qeveritar dhe në sferat e tjera të zhvillimeve demokratike në vend.

Udhëheqësit e PDB-së, në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe lidershipin e treguar, i kanë akorduar kryetarit të LDK-së dhe kryeministrit të Kosovës Akademik Isa Mustafa një medalje.

Exit mobile version