Telegrafi

Mustafa për dorëheqjet në veri: Duhet të mblidhet Qeveria dhe Kuvendi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se “veprimet e sotme të serbëve në veri të vendit, dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave dhe Rezoluta për të ndërprerë komunikimin me “Prishtinën”, siç shprehen ata, janë sinjal i qartë se kah po shkon vendi”.

“Qeveritarët tanë nuk janë për të bërë figura me duar por për tu kujdesur për funksionimin kushtetues të vendit, sa nuk është bërë vonë. Shteti nuk mbahet dhe nuk drejtohet me folklorizëm, duhet të jemi të kujdesshëm për veprimet dhe vendimet tona dhe pasojat e tyre për tërësinë territoriale të vendit. Në këtë situatë, konsideroj se duhet të mblidhet Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ndryshe, kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqjen nga kjo pozitë, për siç thuhet “për shkak të vendimit diskriminues të Prishtinës ndaj popullit serb”.

Gjithashtu, është bërë e ditur se ata kanë ndërprerë komunikimin me institucionet në Prishtinë.

Reagimi i përfaqësuesve serbë ka ardhur pas vendosjes së taksës 100% nga Qeveria e Kosovës, për produktet e Serbisë. /Telegrafi/