Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se ka takuar liderin e VV-së, Albin Kurtin.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se me Kurtin kanë biseduar për shumë tema të cilat sipas tij e rëndojnë aktualitetin në Kosovë.
“Shprehëm gatishmërinë të intensifikojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalet sa më shpejtë. Vlerësuam bashkërisht se Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë, për ndryshime”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se LDK është duke koordinuar aktivitetin opozitar për siç ka thënë “ndaluar degradimin e shtetit”.
Gjithashtu, sipas tij, kjo po bëhet edhe “për të mundësuar zgjedhje të lira e demokratike që do të nxjerrin një qeveri të re, përfaqësuese të qytetarëve, të përgjegjshme e profesionale”.
“Është momenti që të gjitha forcat që e duan Kosovën të bëhen bashkë për të nxjerr institucionet nga gjendja e kaosit dhe degradimit”, ka shkruar Hoti në Facebook. /Telegrafi/