Site icon Telegrafi

Mustafa: Panairi mundësi për punësimin e të rinjve

Kryeministri Isa Mustafa në panairin për punësim theksoi rëndësinë e punësimit në vend dhe inkurajoi bizneset për punësimin e të rinjve.

Kryeministri tha se janë të përkushtuar për progres në zhvillimin ekonomik dhe kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë me odat e ekonomike, të cilat sipas tij, po tregohen shumë aktive dhe të orientuara për plotësimin e kërkesave të qytetarëve sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

“Kemi një numër të konsiderueshëm të bizneseve këtu sot , do të jenë ndërmjet 40-50 biznese nga Kosova dhe llogarisim që ofertat e punës të cilat sot do të bashkërenditen këtu me ata që kërkojnë punë do të jenë mbi 500 të tilla në fushat e ndryshme, që është një mundësi e veçantë për të rinjtë tanë për punësim brenda por natyrisht kemi edhe shansin e atyre që dëshirojnë përkohësisht të punësohen jashtë. Të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre. Unë e konsiderojë këtë panair shumë të rëndësishme sepse ajo që ne tani kemi nevojë të zhvillojmë në Kosovë është të hapim vende të reja të punës”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka i ka ftuar qytetarët që të vijnë në panair nëse ata janë në kërkim të një vendi të punës dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

“Ofrohen mbi 500 vende të punës vetëm brenda territorit të Kosovës dhe një numër tjetër i vendeve të punës qindra sosh të cilat ofrohen nëpër shtetet e jashtme, dhe meqenëse ne gjithmonë e konsiderojmë rininë si njërin prej aseteve kryesore për zhvillimin ekonomik të këtij vendit, atëherë natyrisht se promovojmë punësimin brenda Kosovës dhe tash është një moment i mirë që në përvjetorin e tetë të Pavarësisë së Kosovës të promovojmë edhe mundësi punësimi”, tha Zeka.

Ndryshe, kryeministri Mustafa gjatë vizitës në panair, ka bashkëbiseduar më të gjithë përfaqësuesit e kompanive që prezantuan ofertat për punë në Pallatin e Rinisë.

Exit mobile version