Kryeministri i vendit, Isa Mustafa në konferencën e fundvitit me gazetarë tha se opozita nuk e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi për përfitime elektorale.
Mustafa tha se sjellja e opozitës nuk ka qenë sjellje e politikbërjes në Kosovë dhe sipas tij në të ardhmen duhet të ketë bashkëpunim pozitë-opozitë.
“Mos ratifikimi i demarkacionit po ndodh për shkak të një kauze që unë e konsideroj për përfitime elektorale”, u shpreh Mustafa.
Kryeministri tha se nëse ka pasur devijime në pikën kufitare me Malin e Zi atëherë do ta rishqyrtojnë marrëveshjen, po në rast se jo atëherë do të mbetet kjo marrëveshje që është nënshkruar.
Shefi i ekzekutivit të vendit tha se shpreson që në fillim të 2017-së të arrijnë ta përmbushin edhe këtë kriter të mbetur për liberalizim dhe qytetarët të mund të lëvizin pa viza.
Kryeministri i vendit ka shpalosur qëndrimin edhe sa i përket Listës serbe.
Ai tha se sa i përket Listës do të angazhohet që sa më parë të kthehen në kuvend, por jo me çfarëdo kushti. “ Mariq është shkarkuar dhe ky vendim nuk kthehet më prapa”, tha Mustafa.
“Nëse vajtojë për diçka më e pakta është të vajtojë për Serbinë. Ne duhet ta pranojmë një fakt se ende kemi probleme me veriun e vendit. Duhet të bëjmë përpjekje që çdo zgjidhje ta bëjmë përmes ligjit. Jam shumë i vendosur që pikënisje timen ta kem zbatimin e ligjit dhe zgjidhjen e këtyre probleme ta bëjmë me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar”, tha Mustafa.
Kryeministri u shpreh se pozicionimi i qeverisë në Beograd është destruktiv dhe i papranueshëm. Ai tha se do tua bëjnë me dije Bashkimit Evropianit për sjelljet e Serbisë karshi Kosovës. /Telegrafi/