Site icon Telegrafi

Mustafa: Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karriga në Kuvendin Zgjedhor

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se më 3 gusht LDK do të mbajë Kuvendin e Nëntë Zgjedhor.

Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “kjo ngjarje është e rëndësishme për LDK-në dhe po ashtu edhe për Kosovën, pasi që sipas tij, LDK është parti lidere në vend, jo  vetëm për nga madhësia por edhe për nga mosha demokratike, duke i mbushur sivjet 30 vjet”, transmeton Telegrafi.

Tutje lideri i LDK-së ka thënë se pret që kundërshtarët politikë t’iu urojnë punë të mbarë, teksa ka shtuar se nuk i merr seriozisht as të pjekur ata që iu dëshirojnë karriga.

“Në një konkurrencë shumëpartiake ne duhet ta mundim njëri-tjetrin me vota të qytetarëve, me asgjë tjetër. I marr të prapambetur për nga koha edhe ata që flasin për klika brënda LDK-së. Të tillët kanë rrëshqitur diku në pellgun e fjalorit dhe mendësisë që nuk është e LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Mes tjerash ai ka theksuar se LDK nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për të keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie.

“Nuk i kemi komentuar as rezultatet e zgjedhjeve të tyre. Kosovës i nevojiten parti të shëndosha, i nevojiten relacione të shëndosha ndërmjet subjekteve politike, i nevojitet konkurrencë e fortë dhe demokratike”, thotë ai.

Në fund, kryetari aktual i Lidhjes thotë se LDK do të dal e fortë dhe unike në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor.

“LDK do të dal e para në zgjedhjet nacionale, në shtator të këtij viti. LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë, por nuk do të kultivojë urrejtje patologjike ndaj askujt. Sepse njerëzit e çdo partie politike janë njerëz të Kosovës me ide të ndryshme, janë njerëzit tanë”, pohon Mustafa.

Ndryshe, në njoftimin e bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë thuhet se “Kuvendi i LDK-së do të ketë karakter solemn ku do të rikonfirmohet puna dhe performanca e LDK-së, fuqia politike dhe lidhja e fuqishme tridhjetëvjeçare e LDK-së me popullin e Kosovës”./Telegrafi/

 

Exit mobile version