Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se nëse koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosjen nuk arrihet, LDK do të shkojë në opozitë.
Këto komente Mustafa i bëri pas mbledhjes se Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
“Ne nuk pranojmë asnjë mandat nga presidenti, nuk kemi opsion B. Nëse nuk arrihet marrëveshja me LVV-në, ne shkojmë në opozitë”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se do t’i vazhdojnë takimet me LVV-në, drejt arritjes së një koalicioni qeverisës, ai ka thënë se me LVV-në, janë të interesuar të krijojnë një koalicion të qëndrueshëm, transmeton Telegrafi.
I pari i LDK-së, ka thënë se çështja e presidentit nuk duhet t’i bllokojë bisedimet me LVV-në.
“Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi ftesës së LVV-së, për takimet e ardhshme, vlerësojmë se në qoftë se do të ketë vullnet, mirëbesim, çështja e marrëveshjes mund të arrihet. Parimi që u tha në Këshill është se pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozita, të cilat do të sfidohet ky koalicion qeverisës gjatë 4 viteve. Nuk duhet të kemi koalicioni i cili sfidohet qoftë nga zgjedhje e presidentit apo tjera”, deklaroi Mustafa./Telegrafi/